Kapet një ngarkesë marijuane speciale, e prodhuar sivjet në Lazarat
Një transportues droge ka tentuar t‘i shpëtojë postbllokut të Policisë Rrugore, duke u maskuar si punonjës policie, por është zbuluar dhe është vënë në pranga. Ngjarja ka ndodhur mesditën e së mërkurës në aksin rrugor Gjirokastër-Tepelenë, rreth 10 km në veri të qytetit të gurtë, ku shtetasit Astrit Kermezo, 23 vjeç, i janë gjetur në automjet 40 kg lëndë narkotike e llojit marijuanë. Policia e Gjirokastrës kishte dijeni për lëvizjen e të riut gjirokastrit në drejtimin verior të qytetit, duke qarkulluar me një automjet tip "Mercedes Benz", me targa DR8044D, të cilat më vonë u vërtetuan se ishin të falsifikuara. Një informacion i siguruar nga specialistët e Sektorit të Luftës kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së Gjirokastrës, bëri të mundur zbulimin e drogës që transportohej nga i riu. Postblloku policor i ngritur në afërsi të fshatit Shtëpëz mundi që të ndalonte transportin e 40 kg marijuanë të presuar në destinacionin misterioz. Një kontroll i befasishëm i kryer nga policët në bagazhin e automjetit zbuloi sasinë e marijuanës së presuar, duke nxjerrë "zbuluar" alibinë e 23-vjeçarit se në bagazh kishte kuti me vaj makine, si dhe gomën rezervë. Në bagazhin e "Mercedes"-it kishte katër pako të mbështjella me letër ngjitëse ngjyrë kafe. Në secilën prej tyre kishte nga 10 kg marijuanë të presuar, e cilësisë superiore, e cila në tregun e sotëm ka vlerën e 800 eurove për kilogram. Pas evidentimit të të katër pakove me nga 10 kg secila, kontrolli policor u zgjerua edhe në bordin e automjetit, ku në kroskot, Kermezos i janë gjetur edhe 41500 lekë, të cilat iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Së bashku me të hollat, policia ka bllokuar edhe sasinë e lëndës narkotike. Për t‘u shpëtuar kontrolleve nga postblloqet policore, i riu kishte vendosur në xhamin e parmë të automjetit një tabelë të policisë rrugore, si dhe një jelek ngjyrë fosforeshente, e cila përdoret nga punonjësit e qarkullimit rrugor. Këto dy objekte Kermezo i kishte vendosur në pozicion të dukshëm, për t‘u maskuar si punonjës policie. Policia ka bërë menjëherë arrestimin e Kermezos për veprën penale të trafikimit të lëndëve narkotike. Sasia e drogës së kapur dje është siguruar në Lazarat dhe prej andej është marrë me automjet me destinacion drejt zonës veriore të Gjirokastrës. Rasti i djeshëm është i trembëdhjeti brenda vitit dhe i treti brenda muajit që policia kap autorin dhe sekuestron lëndën narkotike të transportuar përmes automjeteve private. Aksioni i Policisë së Gjirokastrës, sipas saj, ka qenë në vazhdën e operacionit të koduar "Fillimi", ndërmarrë nga Sektori i Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut.