E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi, telegram urimi për Obamën

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i dërgoi dje një mesazh urimi Presidentit të zgjedhur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama, për fitimin e garës presidenciale. "Kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë që, në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim personal, t‘ju dërgoj urimet më të përzemërta dhe më miqësore me rastin e zgjedhjes suaj në postin e lartë të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës!", shkruan Topi. Teksa shpreh besimin se miqësia, partneriteti dhe niveli i shkëlqyer i marrëdhënieve midis dy vendeve tona do të vazhdojë të konsolidohet e të zhvillohet më tej në interes të aspiratave të dy popujve tanë dhe të përpjekjeve të përbashkëta për demokraci, liri, paqe dhe zhvillim. "Populli shqiptar është i vendosur të vazhdojë rrugën e tij për krijimin e një shoqërie të vlerave të demokracisë e të lirisë, për ndërtimin e shtetit të së drejtës e të institucioneve të pavarura, për organizimin e zgjedhjeve sipas standardeve, për thellimin e reformave në fushën e drejtësisë dhe për të luftuar korrupsionin e krimin e organizuar", vijon Topi. I ftuar nga ambasadori amerikan në Tiranë, Xhon L. Uithers II, kreu i shtetit mori pjesë dje në mëngjesin paszgjedhor të organizuar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë dhe Dhoma Amerikane e Tregtisë në hotel "Rogner". "Bisedova me ambasadorin se gjëja më impresive ishte fjala e zotit MekKein menjëherë pas marrjes së lajmit për fitoren e zotit Obama", tha Topi. Nga ajo që unë kam ndjekur, shtoi ai, është konsideruar një nga fjalimet më të ndiera, një nga fjalimet më luajale për sa i përket garës së zhvilluar, por mbi të gjitha një mesazh për popullin amerikan, për rivalin, dhe mbi të gjitha për atë që tha ambasadori që të ketë zgjedhje të lira, të ndershme dhe ky është një leksion i madh për Shqipërinë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›