E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji për Legalizimet, tërhiqet mazhoranca

 

Deputetët e PD-së marrin parasysh disa nga vërejtjet e Topit. E paqartë vendosja e afateve për kompensimin e ish-pronarëve

"Pushtetit vendor i lihet përsëri e drejta për të kryer procedurën e kualifikimit tekniko-ligjor"

TIRANË- Tërhiqet mazhoranca nga qëndrimi i saj për Ligjin e Legalizimeve, duke pranuar në të njëjtën kohë sugjerimet e republikanëve. Gati tre javë pasi presidenti i Republikës, Bamir Topi ktheu për rishqyrtim në Kuvend, ligjin "Për disa shtesa në Ligjin për Legalizimin dhe Urbanizimin e Zonave Informale", demokratët kanë reflektuar dhe pasi janë konsultuar me aleatët e tyre republikanë, kanë paraqitur në Komisionin parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese paketën e ndryshimeve të reja. Deputeti demokrat Ardian Kollozi, në cilësinë edhe të relatorit të këtij ligji ka prezantuar dje amendimet e reja të ligjit në fjalë, të cilat, sipas tij, janë hartuar duke marrë në konsideratë, në radhë të parë, të gjitha vërejtjet me të cilat kreu i shtetit shoqëroi dekretin e tij të kthimit të ligjit, si dhe sugjerimet e Partisë Republikane. Paketa e re, megjithëse përmban në vetvete ndërhyrjet në 5 nene shumë të rëndësishme, dhe më konkretisht në nenet 4, 7, 19, 24 dhe 28, nuk arrin të japë zgjidhje të qartë për problemin e afateve të kompensimit të pronarëve të vjetër dhe dhënien e certifikatave të pronësisë për pronarët e rinj. Për këtë duket se ka një lloj konfuzioni midis deklaratave të përfaqësuesve të mazhorancës dhe pikave të reja që përmban drafti i paraqitur dje. Kështu, sipas Kollozit, me propozimet e reja vendoset një afat kohor prej tre muajsh, brenda së cilit AKKP-ja dhe ALUIZNI në mënyrë paralele duhet të bëjnë kompensimin e ish-pronarëve për trojet e zëna dhe dhënien e certifikatave për pronarët e rinj, për ndërtimet e bëra. "Brenda datës 1 Gusht, Agjencia e Legalizimit i kalon listën e parë të pronarëve Këshillit të Ministrave dhe brenda 3 muajsh, agjencitë e Kthimit të Pronave duhet të bëjnë kompensimin e pronarëve. Ndërkohë, brenda këtij afati kohor, Agjencia e Legalizimit ka përgatitur të gjithë dokumentacionin që ndërtimet pa leje të pajisen me certifikata", - u shpreh Kollozi në fjalën e vet në komision. Por në draftin e paraqitur në komision parashikohet vetëm afati 30 ditor brenda së cilit ALUIZNI duhet të paraqesë në mënyrë periodike në qeveri, listat e pronarëve që duhet të dëmshpërblehen dhe listat e pronarëve të rinj të cilët duhet të marrin certifikatat, por nuk parashikohet asnjë afat tjetër detyrues për vendimmarrje të qeverisë dhe më pas të dëmshpërblimit. Sipas pikës d/1 të nenit 7, parashikohet që: "ALUIZNI i dërgon Këshillit të Ministrave për vendimmarrje, listën me të dhëna për çdo pronarë të ligjshëm dhe sipërfaqet përkatëse, jo më vonë se 30 ditë nga data e dërgimit të listës paraardhëse. Afati i parë i dërgimit të kësaj liste është data 1 Gusht". Pra, nëpërmjet kësaj pike, qeveria nuk detyrohet që të marrë një vendim për listën e paraqitur nga ALUIZNI brenda një afati të caktuar dhe nga ana tjetër, agjencitë e specializuara për legalizimet dhe kthimin dhe kompensimin e pronave nuk kanë asnjë afat tjetër kohor për dëmshpërblim dhe shpërndarje certifikatave të pronësisë. Një ndërhyrje pozitive në ligj duket se është bërë për çështjen e kompetencave të pushtetit vendor në raport me ALUIZNI-in, pavarësisht se përfaqësuesit e opozitës në këtë komision përsëri e kanë konsideruar si të pamjaftueshëm. Megjithatë, ndryshe nga ligji i kthyer nga Presidenti, me ndryshimet e reja, njësive të qeverisjes vendore u lihet përsëri e drejta për të kryer procedurën e kualifikimit tekniko-ligjor të ndërtimeve informale, por, natyrisht, brenda një muaji. Në të kundërt, në rast të mosushtrimit të përgjegjësive brenda këtij afati nga këto njësi, ato u kalojnë si kompetencë ALUIZNI-it. Pushtetit vendor i kthehet edhe e drejta e planifikimit dhe menaxhimit urban të territorit. Drafti i ri pritet të diskutohet përsëri sot në komision.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›