E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimi, bileta e autobusit 30 lekë, rriten edhe abonetë

 

Qeveria miraton rritjen e çmimit për udhëtimin me linjat urbane. Ja çmimet

TIRANË- Sikur të mos mjaftojë shtrenjtimi i vazhdueshëm i një sërë produktesh bazë për jetën e përditshme, si ushqimet, buka, energjia etj., qytetarët shqiptarë duhet të paguajnë më shumë edhe për udhëtimin me linjat urbane, pavarësisht se shërbimi në to lë shumë për të dëshiruar. Qeveria ka miratuar vendimin për ndryshimin e tarifave të transportit të udhëtarëve në linjat me gjatësi deri në 9 kilometra. Kështu, sipas këtij vendimi, bileta për një udhëtim vajtje ose kthim, nga 20 lekë që është aktualisht, rritet me 50 për qind të shumës dhe bëhet 30 lekë. Ndërkohë që biletat e pajtimit mujor, ose siç njihen ndryshe abonetë për një linjë të caktuar nga 600 lekë që është momentalisht, do të bëhet 900 lekë të reja. Një rritje me të njëjtat nivele do të pësojë edhe bileta e pajtimit mujor e përgjithshme, pra për të tëra linjat, dhe nga 900 lekë që është do të bëhet 1200 lekë të reja. Gjithashtu, pavarësisht kundërshtimeve të vazhdueshme, një rritje të konsiderueshme do të pësojnë dhe abonetë e studentëve ose të nxënësve për të gjitha linjat, brenda qytetit. Nga 400 lekë, biletat e pajtimit për studentët do të bëhet 600 lekë të reja. Me anë të relacionit shoqërues të këtij vendimi, qeveria sqaron se një masë e tillë është detyruar të merret për shkak të kërkesave të vazhdueshme të Shoqatës së Transportit Urban, dhe nevojës për përmirësimin e shërbimit në këtë lloj transporti. Tarifat e transportit urban, sipas relacionit, janë miratuar në vitin 2004 dhe përgjatë gjithë kësaj kohe ato nuk kanë ndryshuar, kjo pavarësisht ndryshimeve dhe rritjes së çmimit të karburanteve dhe vajrave lubrifikantë. Referuar edhe studimeve të kryera nga Instituti i Studimeve të Transportit për vitin 2007, Ministria e Transporteve dhe ajo Financave si ministritë propozuese, në materialin shoqërues të këtij vendimi argumentojnë se rritja e çmimit karburanteve përgjatë këtyre viteve ka sjellë rritjen e kostos së udhëtimit për mjetet e transportit publik, çka ka bërë të pamundur që operatorët privat të përballojnë shpenzimet për ruajtjen e cilësisë së shërbimit. Prandaj për të përmirësuar edhe nga ana cilësore shërbimin në transportin qytetar por dhe për të krijuar kushte më të favorshme për këto subjekte private që operojnë në këtë lloj transporti, ata kanë propozuar në Këshillin e Ministrave rritjen e tarifave për të gjitha biletat në nivelet e mësipërme. Ndërkohë, në relacion bëhet e ditur se kjo ndërhyrje erdhi edhe si domosdoshmëri pasi afro 10 për qind e qytetarëve udhëtojnë në transportin publik falas pasi janë të pajisur me karta nga shoqatat që përfitojnë udhëtim pa pagesë. Tirana është qyteti që ka rrjetin më të madh të trafikut urban dhe aktualisht në të janë licencuar 1 operator shtetëror dhe 5 operatorë privatë.

Tabelë

Bileta për një udhëtim 30 lekë të reja

Aboneja për një linjë 900 lekë të reja

Aboneja e përgjithshme 1200 lekë të reja

Aboneja e studentit 600 lekë të reja

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›