Berisha-Uidhers së bashku kundër trafikimit të fëmijëve
Kryeministri Sali Berisha dhe ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, Xhon Uidhers, kanë marrë pjesë dje në një konferencë për luftën kundër trafikimit të fëmijëve të organizuar nga koalicioni shqiptar “Bashkë kundër Trafikimit të fëmijëve”.
Gjatë kësaj konference ambasadori amerikan Uidhers ka vlerësuar punën e koalicionit dhe bashkëpunimin e tij me sektorin publik dhe atë privat, në mbrojtje të fëmijëve. Uidhers u shpreh se Ambasada Amerikane do të qëndrojë përkrah strukturave shqiptare, në mënyrë që Strategjia për Luftën kundër Trafikut të Fëmijëve, të bëhet realitet.
“Qeveria ime e ka njohur progresin dhe arritjet e rëndësishme që ka shënuar Shqipëria, edhe përmes aktit të ratifikimit të Protokollit të Anëtarësimit në NATO, që u bë nga Senati vetëm javën që shkoi. Ky akt ka një rëndësi shumë të madhe, por edhe përçon një vlerë simbolike shumë të madhe. Kjo simbolikë nuk qëndron vetëm në atë Aleancë gjeostrategjike që ne, në mënyrë të drejtë e të duhur, kemi ndërtuar, por në atë lidhje të fortë që ne kemi krijuar me njëri-tjetrin, në përkushtimin për të përmirësuar edhe më tej shoqëritë tona”, - tha ambasadori Uidhers. Kryeministri Berisha nga ana e tij ka theksuar se lufta kundër trafikimit të fëmijëve është dhe mbetet prioritet për qeverinë. Ai tha se do të vazhdojë të lufta me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar dhe trafikut njerëzor. “Fokusimi në grupet me rrezik të lartë, është kusht i domosdoshëm. I kam kërkuar Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe së shpejti do të ndërmarrim nismën “zero tolerancë” ndaj fenomenit të largimit të fëmijëve nga shkolla, pasi integrimi i fëmijëve në shkolla është një garanci që ata t’u shpëtojnë kthetrave të tregtarëve të fëmijëve”, - u shpreh kryeministri. Gjithashtu, kryeministri nënvizoi se në bazë të ligjit të ri të Gjendjes Civile po bëhet regjistrimi i të gjithë fëmijëve romë, si dhe po bëhen përpjekje që në këto zona të vihen në funksion shkolla dhe ambiente ushqimi, si një mundësi për t’i mbrojtur, për t’i mbajtur dhe shkolluar fëmijët e këtij komuniteti.
Më tej, Berisha vuri në dukje se është në detyrimin e Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale që të bashkëpunojnë ngushtë me bashkitë dhe komunat, me njësitë e mbrojtjes së fëmijëve, të cilat vlerësohet se vërtetë kanë dhënë shumë në këtë drejtim, që ta shtrijnë këtë bashkëpunim dhe mision në të gjitha qytetet e vendit.
3 Tetor 2008