Gjyqtarët humbin “betejën” e parë me Kushtetuesen për KLD-në
Eljona Ballhysa
Gjykata Kushtetuese rrëzoi dje kërkesën e Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve për pezullimin e përkohshëm të veprimtarisë së ligjit për “Konferencën Gjyqësore” deri në një vendim përfundimtar të kësaj gjykate. Kushtetuesja gjykoi se ky ligj nuk duhej pezulluar derisa nuk ka një vendim për të. Gjatë mbledhjes së djeshme vendimi i dhënë nga Gjykata Kushtetuese rrëzoi pretendimin e gjyqtarëve për të pasur të drejtë për vendosur për emërimin e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Një vit më parë Shoqata e Gjyqtarëve depozitoi pranë Gjykatës Kushtetuese kërkesën për "Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të Ligjit nr. 9399, dt. 12.05.2005 ‘Për organizimin e Konferencës Gjyqësore’”. Ky ligj sanksionin se jo të gjithë gjyqtarët kanë të drejtë të marrin pjesë në zgjedhjen e anëtarëve të KLD-së. Pikërisht kjo dispozitë kundërshtohet nga Shoqata e Gjyqtarëve. Nga ana tjetër, Gjykata Kushtetuese ka vendosur që këtë kërkesë do ta shqyrtojë në një mbledhje të afërt. Gjatë ditës së djeshme ajo rrëzoi kërkesën për pezullimin e veprimit të këtij ligji deri në marrjen e një vendimi përfundimtar për këtë ligj.
Pretendimet
Shoqata paraqiti dje pretendimin se Gjykata Kushtetuese duhet ta shfuqizojë ligjin duke u mbështetur në dy argumente themelore. Së pari, për ta ky ligj është miratuar me një shumicë të thjeshtë parlamentare në një kohë që duhet të ishte miratuar me shumicë të cilësuar, pasi Konferenca Gjyqësore është organ i përmendur nga Kushtetuta në kreun e saj “Gjykatat”. Së dyti, Shoqata e Gjyqtarëve pretendon se ligji në thelbin e vet prek pavarësinë e pushtetit gjyqësor dhe nuk përfaqëson vullnetin e të gjithë gjyqtarëve në Shqipëri. Përfaqësuesi i Shoqatës së Gjyqtarëve, Klodian Rado, theksoi në mbledhjen e djeshme se pjesëmarrja në Konferencën Gjyqësore e të gjithë gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, kryetarëve të gjykatave të apelit dhe të shkallëve të para lejon mundësimin e ndikimit të Ekzekutivit mbi pushtetin e pavarur të gjyqësorit. Rado ka kërkuar si pretendim shtesë para Kushtetueses dhe pezullimin e këtij ligji deri në vendimin përfundimtar. Nga ana tjetër, përfaqësuesi ligjor i Kuvendit të Shqipërisë deklaroi se nuk ishte dakord me faktin se kjo shoqatë legjitimohet të vërë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese, madje ka kërkuar nga Kushtetuesja që të rishikojë jurisprudencën e saj mbi çështjen e legjitimimit. Ai nuk e quajti ligjin antikushtetues dhe deklaroi se mungesa e tij, në rast të shpalljes antikushtetues të këtij ligji do të krijonte boshllëk ligjor. Ky pretendim u kundërshtua nga Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve me argumentin se boshllëku ligjor nuk mund të justifikojë lejimin e ligjeve antikushtetuese në legjislacion.
Konflikti
Përzgjedhja e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë nëpërmjet Konferencës Gjyqësore ka vite që është kthyer në diskutim mes radhëve të gjyqtarëve. Ndërsa kryesia e gjyqtarëve nuk pranoi vërejtjet për ndryshim, Shoqata e Gjyqtarëve gjykoi që t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për të mbrojtur interesat e tyre. Konkretisht, debati bëhej se për anëtarët e KLD-së duhet të votonin të gjithë gjyqtarët e gjykatave të dyja shkallëve të Gjyqësorit. Ndërkohë që ligji i ri ua pati mohuar shumë prej tyre këtë të drejtë. Sipas ligjit të ri, votën për anëtarët e KLD-së mund ta jepnin vetëm kryetarët e gjykatave dhe një pjesë e gjyqtarëve që do të përfaqësonin gjykatën në të cilën punonin.
Topalli zhvillon takime të nivelit të lartë në Zvicër, thellohet bashkëpunimi
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka zhvilluar gjatë ditës së djeshme takime me personalitete të larta të politikës zvicerane. Me ftesë të kryetarit të Këshillit Nacional të Zvicrës, Andre Bugnon, kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë ndodhet për një vizitë zyrtare dyditore në Bernë të Zvicrës, që është një ndër shtetet e para që ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe me standardet më të larta e stabilitet më të konsoliduar ekonomik në botë. Një etapë e re dhe një moment domethënës në historinë e marrëdhënieve dypalëshe u konsiderua kjo vizitë e delegacionit parlamentar shqiptar nga autoritet më të larta të Zvicrës, të cilët pritën në takime të veçanta kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë. Për presidentin zviceran, Paskal Kushpin, kjo vizitë e Topallit është e një rëndësie të veçantë në rritjen e nivelit të bashkëpunimit mes dy vendeve. Kryetarja e Kuvendit falënderoi përzemërsisht presidentin Kushpin për pritjen e rezervuar duke nënvizuar se mes dy vendeve tona ekzistojnë marrëdhënie të shkëlqyera, që përbëjnë një bazë solide për të nxitur forma konkrete dhe dimensione të reja bashkëpunimi, veçanërisht në fushën ekonomike. “Vendi po njeh ngjitje të jashtëzakonshme të shkallëve të klasifikimeve ndërkombëtare përsa i përket ritmit të reformave. Sot Shqipëria është shumë pranë anëtarësimit në NATO dhe në prag të përmbylljes së ratifikimit të MSA-së me Bashkimin Europian. Vlerësimi ndërkombëtar dhe zhvillimi galopant i vendit na bën optimistë për një të ardhme të sigurt e dinjitoze euroatlantike. Në sajë të vullnetit të fortë dhe angazhimit maksimal e reformave fiskale, Shqipëria ka ngjitur shkallët e vlerësimit mbarëbotëror për zhvillimin ekonomik. Rritja ekonomike mbi 6%, krijimi e lehtësirat për biznesin, shërbimet elektronike dhe klima e krijuar kanë rritur ndjeshëm interesin e investimeve të huaja”, - ka theksuar Topalli gjatë bisedës me presidentin Kushpin. Biseda më tej është ndalur në nxitjen dhe forcimin e bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve. Nga ana e tij presidenti Kushpin vlerësoi ecurinë e zhvillimeve në Shqipëri, dhe reformat e vështira të ndërmarra. Ai shprehu interes për rritjen e investimeve zvicerane në Shqipëri në shkëmbime tregtare, por edhe në fusha si energjetikë, infrastrukturë, turizëm etj.
Danimarka do të ratifikojë së shpejti anëtarësimin e Shqipërisë në NATO
Ambasadori i ri i Mbretërisë së Danimarkës në Tiranë, Karsten Ankjaer Jansen, ka bërë të ditur dje gjatë një takimi me ministrin e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Lulzim Basha, mbështetjen e vendit të tij për një proces të shpejtë të ratifikimit të protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Ambasadori Jansen, gjatë këtij takimi, e ka siguruar ministrin Basha për intensifikimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, ndërsa ka vlerësuar ecurinë e reformave si dhe rolin konstruktiv të Shqipërisë në rajon. Nga ana e tij, ministri Basha vlerësoi nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve mes dy vendeve. Ai e njohu Ambasadorin e ri danez me reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare në zhvillimin e vendit dhe përshpejtimin e proceseve integruese drejt NATO-s dhe BE-së. Në këtë kuadër, ai nënvizoi kontributin e çmuar të Danimarkës në mbështetje të integrimit të Shqipërisë në strukturat europiane e euroatlantike.
3 Tetor 2008