E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Naim Frashëri", 100-vjetori i një shkolle që kultivoi dijetarë

Gjatë viteve 2008 dhe 2009
shënohen katër përvjetorë
jubilarë, dy nga të cilët i përka
sin vitit 2008 (100-vjetori i
Kongresit të Manastirit dhe 100-vjetori i
shkollës 9-vjeçare "N.Frashëri" të Elbasanit)
dhe dy vitit 2009 (100-vjetori i
Kongresit të Elbasanit dhe 100-vjetori i
Normales së Elbasanit). Këto ngjarje, të
lidhura midis tyre, janë rezultat i rritjes
së luftës për pavarësi; tri nga këto ngjarje,
me një rëndësi të madhe për kulturën
e arsimin kombëtar, lidhen drejtpërsëdrejti
me emrin e qytetit të Elbasanit.
Hapja në Elbasan e shkollës fillore
"N.Frashëri" dhe e shkollës së mesme për
mësues, që ka mbetur në histori me emrin
"Normalja e Elbasanit", si dhe mbajtja
e Kongresit të Elbasanit, dëshmojnë
traditën shekullore të Elbasanit në fushën
e kulturës e të arsimit, dëshmojnë
ekzistencën në këtë qytet të kuadrit të
nevojshëm të mësuesve të aftë për të
punuar në këto shkolla të porsahapura,
dëshmojnë gjithashtu përpjekjet e popullit
të Elbasanit për të mësuar gjuhën
shqipe edhe në kushtet e pushtimit të
egër turk.
U mbushën plot 100 vjet nga dita e
hapjes së shkollës së parë zyrtare shqipe
në qytetin e Elbasanit, shkollës që mban
emrin e rilindësit të madh "N.Frashëri"1,
e cila shpejt u bë e njohur në të gjithë vendin.
Shkolla fillore "N.Frashëri" (që më
vonë kaloi në 8-vjeçare e së fundmi në 9-
vjeçare), Normalja e mirënjohur dhe Ushtrimorja,
"laboratori" i Normales, janë
fryt i një mjedisi atdhetar e arsimdashës,
lindën njëra pas tjetrës dhe plotësojnë
njëra-tjetrën për arsimimin e gjithë vendit
e sipas përvojës së Europës perëndimore.
Shkolla "N.Frashëri" është fidanishte
shumë pjellore, ku ka marrë mësimet e
para një numër shumë i madh personalitetesh
kombëtare shqiptare. Aty është
shkolluar një pjesë e ajkës së intelektualëve
shqiptarë, midis të cilëve shkencëtarë
të shquar e drejtues të institucioneve
shkencore e arsimore të vendit,
mësues të talentuar, si dhe artistë, aktorë,
piktorë, muzikantë, sportistë.
Një vend nderi të veçantë zënë edhe
intelektualët dëshmorë e martirë të kombit,
e të persekutuar, ish-nxënës dhe
mësues të shkollës, që së bashku me ata
të Normales i kanë vënë vulën atdhetarizmit
elbasanas. Më lejoni të përmend
këtu vetëm një emër, atë të mësuesit tim
të nderuar e të paharrueshëm, Kamber
Kazazit, që u pushkatua nga diktatura e
egër komuniste, për të cilin ruaj kujtime
të pashlyeshme për nivelin e lartë të
mësimdhënies, për atdhetarizmin e komunikimin
e tij me nxënësit dhe për bazën
e pasur materiale që përdorte në
mësim.
Është e pamundur që në pak faqe të
thuhet diçka e veçantë për secilin nga
këta personalitete të shumtë. Këto figura
të shquara meritojnë vëmendje të
veçantë për të analizuar e vlerësuar ndihmesat
e tyre të shumta shkencore, arsimore,
kulturore, edukative, artistike etj.
Madje arritjet dhe vlerat e tyre të dobishme
meritojnë të hulumtohen në
monografi të hapura për t‘ua përcjellë
brezave të ardhshëm. Më poshtë po përmendim
vetëm disa emra:
Le të kujtojmë në fillim emrat e 26 ishnxënësve
e mësuesve të shkollës
"N.Frashëri", që mbajnë titullin e lartë
"Mësues i popullit" e pikërisht: Aleks
Buda, Dhimitër Shuteriqi, Mahir Domi,
Kolë Popa, Kolë Paparisto, Qemal Haxhihasani,
Ahmet Duhanxhiu, Sulejman
Harri, Shyqyri Demiri, Faik Pajuni, Teki
Tela, Fadil Gurmani, Simon Shuteriqi, Salih
Çeka, Kamber Kazazi, Qamil Guranjaku,
Kujtim Dedei, Ahmet Gashi, Abdyl
Paralloi, Abedin Çaushi, Fejzulla Guranjaku,
Gani Bedhia, Rexhep Peza, Vasail
Llapushi, Fatush Vyshka, Mehmet Çeliku.
Pranë këtyre qëndrojnë edhe emrat e
nderuar të 37 "Mësuesve të merituar",
ish-nxënës e mësues të shkollës e pikërisht:
Dhimitër Paparisto, Sotir Paparisto,
Skënder Sejdini, Hysen Ceka, Ibrahim
Berrania, Petër Dodbiba, Spiro Shuteriqi,
Zef Kolombi, Musa Tafa, Vasil Kamami,
Adem Jahja, Ismail Xhaja, Ismail Haxhihyseni,
Ismail Haxhimusai, Bukurosh Sejdini,
Mehmet Bebeti, Fot Papajani, Ymer
Tola, Agron Stringa, Kristaq Mullisi, Dervish
Lisi, Astrit Bishqemi, Anastasi Kote,
Luiza Papajani, Ipokrat Biba, Dylaver Shkodra,
Hasan Dylgjeri, Agim Kurrizi,
Shpëtim Haxhihyseni, Hysen Çaushi,
Kasem Biçoku, Luan Baholli, Petrit Peni,
Sabahedin Harja, Reshit Koburja, Xhemal
Xhepa, Sami Domni.
Një vend nderi zënë gjithashtu
artistët e shquar, shkolluar në
"N.Frashëri", e pikërisht "Artisti i popullit"
Demir Hyskja; "Artistët e merituar"
Alfons Balliçi, Mithat Stringa, Hysen Biza,
Andon Lakuriqi, piktorët e mirënjohur
Isuf Sulovari, Xhemal Lufta, Shpëtim
Arapi, shkrimtarët Ethem Haxhiademi,
Astrit Bishqemi, Astrit e Shefki Karadaku,
Elena Kadare, Irma Kurti, Skënder Tapia,
shkrimtari dhe regjisori Tomor Himçi,
skulptori Armand Kadaifçiu, "Mjeshtrit e
merituar të sportit" Ruzhdi Bizhuta e Vasif
Biçaku.
Por radha e emrave të njohur, ishnxënës
e mësues të "N.Frashërit", nuk
mbaron me kaq. Këtu do të radhisim
edhe emrat e disa profesorëve, doktorë
shkencash e mjeshtër kërkimesh si: kimisti
i njohur dhe anëtari korrespondent
i Akademisë së Shkencave Italiane
prof.dr. Ibrahim Dakli, prof. Shaban Baxhaku,
prof. Pleurat Xhuvani, prof.dr.
Mentar Belegu, prof. Ferdinand Paparisto,
prof.dr. Abdyl Haxhimusai, prof.dr.
Uran Asllani, prof.dr. Kastriot Spahiu,
prof. Ali Cungu, prof.dr. Emine Sadiku,
prof.dr. Leonard Topuzi, prof. Mahmut
Cungu, prof. Naim Shashaj, prof.as.dr.
Artur Elezi, prof.as.dr. Hyqmet Shqerra,
prof.as.dr. Kujtim Bevapi, prof.as.dr. Roland
Çerepi, prof.as.dr. Vaso Qano, dr.
Sokrat Dodbiba, dr.Tomor Arianiti, dr.
Hipokrat Miçi, dr.Skënder Kongoli, dr.
Klejda Bega, e cila si nxënëse e shkollës
në maj 1990 ishte fituese e çmimit të parë
në Olimpiadën IV Kombëtare të Matematikës
për klasat e teta, sot, në Los Anxhelos,
Kaliforni, është doktore në fizikë
bërthamore, profesore në Universitetin
Teknik, punonjëse shkencore në stacionin
hapësinor "NASA". Pra, tradita e shkollës
vazhdon me shkencëtarë të rinj.
Ky auditor i ngritur, kur dëgjon gjithë
këto lista të pasura emrash, e kupton
menjëherë rangun e lartë kombëtar të
tyre. Faktet flasin vetë. Kemi të bëjmë me
një shkollë unike, me një shkollë me tradita
të shkëlqyera, ku kanë marrë mësimet
e para figura të tilla të shquara, midis
të cilëve themelues e konsolidues të Akademisë
së Shkencave të RSH, themelues
dhe organizatorë të Institutit të Shkencave
të vitit 1947 dhe të shkollave të
para të larta të vendit, si Instituti
Dyvjeçar i Tiranës, Instituti Pedagogjik,
Fakulteti i Shkencave të Natyrës dhe të
Histori-Filologjisë; në këtë shkollë kanë
marrë mësimet e para gjashtë akademikë
të ASH-së së RSH-së, duke filluar me Aleks
Budën, historian i shquar, i cili u zgjodh
kryetar i saj që nga themelimi, më 1972;
duke vazhduar me Kolë Popën, nënkryetar
i Akademisë dhe një ndër themeluesit
e shkencës kimike dhe farmaceutike
shqiptare; për të vazhduar pastaj me
akademikun, studiuesin, shkrimtarin
dhe kryetarin e Lidhjes së Shkrimtarëve,
Dhimitër Shuteriqin; me studiuesin e
palodhur e drejtuesin horizontgjerë të gjuhësisë
shqiptare, akademikun Mahir
Domi; me Kolë Papariston, botanistin e
shquar e deri te kryetari aktual i Akademisë
së Shkencave, prof. Teki Biçoku, personalitet
i gjeoshkencave shqiptare. Nga
radhët e këtyre, një numër i konsiderueshëm
janë shpallur "Qytetarë
nderi" të Elbasanit.
Emrat e përmendur më lart dhe ishnxënës
të tjerë të "N.Frashërit" i shohim
në detyra të rëndësishme organizuese e
drejtuese, në postin e rektorit dhe të dekanit
në universitete, drejtues sektorësh
shkencorë të instituteve të Akademisë
dhe të departamenteve të universiteteve
të vendit, kryeredaktorë dhe botues të
revistave e veprave shkencore, mësimdhënës
e pedagogë, specialistë, titullarë
të shkollave të larta, shefa e inspektorë
arsimi në rrethe të ndryshme të vendit,
drejtorë shkollash e metodistë të njohur,
organizues e pjesëmarrës në veprimtari
shkencore, brenda dhe jashtë vendit, përfaqësues
të shkencës shqiptare jashtë
vendit, pjesëmarrës në forume shkencore
ndërkombëtare, por edhe aktorë të talentuar
në skenat e teatrit kombëtar dhe kinostudios,
autorë veprash dinjitoze shkencore
e artistike kulturore, autorë tekstesh
shkollore, duke filluar me abetaret e deri
te veprat akademike të shkencave humanitare
e natyrore, piktorë ekspozitash
vetjake, lokale e kombëtare, krijues, organizatorë e pjesëmarrës veprimtarish artistike
muzikore, mbledhës të palodhur e
studiues të folklorit e të gjuhës, profesorë
të Normales dhe themelues të Ushtrimores2
dhe të pedagogjisë moderne. Ishnxënës
të kësaj shkolle kanë bërë karrierë
diplomatike deri në rangun e ambasadorit
Florent Çeliku dhe Karabina.
Vështirë se gjendet një tjetër shkollë në
vend ku të kenë marrë mësimet e para kaq
shumë personalitete, me një prodhimtari
e rrezatim kaq të lartë intelektuale si kjo e
jona, me një veprimtari kaq të gjerë e kaq
cilësore në fushën e arsimit e të kulturës.
Gjithë këto arritje e vlera shpjegohen, së
pari, me traditën e pasur atdhetare, kulturore,
arsimore dhe shkencore të Elbasanit,
traditë që nis me
K.Kristoforidhin, ideologun e madh të Rilindjes
Kombëtare; ato shpjegohen, së
dyti, me aftësitë profesionale të spikatura
dhe me përkushtimin në punë të trupës
mësimore të shkollës "N.Frashëri"; së treti,
një rol të madh ka luajtur shkollimi i
mesëm i disave prej tyre në Normalen e
famshme të Elbasanit, si dhe shkollimi
universitar i tyre në universitete e kolegje
të ndryshme të Europës, si në Zvicër, Austri,
Itali, Francë etj., vende këto me tradita
të pasura shkencore e kulturore dhe me
ide përparimtare të kohës.
Për traditën e shquar kulturore, arsimore,
shkencore të Elbasanit flasin veprat
e Kristoforidhit; flasin shumë dokumente
të kohës; flasin, ndër të tjera, ekzistenca
dhe veprimtaria e disa shoqërive e
klubeve që me insistim kërkojnë shkolla
shqipe në vend të të huajave; mësimi
fshehurazi i gjuhës shqipe nga populli elbasanas
në dyqane, në fshatra e kudo,
përfshirë edhe shkollat e huaja turke e
greke; zhvillimi i kurseve të fshehta për
mësimin e shqipes përpara çeljes së shkollës
së parë zyrtare "N.Frashëri", të cilat
mund të quhen shkolla jozyrtare; tradita
në mbledhjen e studimin e thesarit popullor
gojor folklorik, gjuhësor, historik, etnografik,
muzikor; dëshira e madhe e
masive në shumë breza3 për njohjen e
gjuhës popullore; përpjekja për të shkruar
e lëvruar gjuhën amtare etj. Por
kurora e traditës kulturore-arsimore e
Elbasanit, madje jo vetëm e Elbasanit,
është Normalja, e cila, siç jam munduar
ta argumentoj vite më parë, mund të krahasohet
me një universitet dhe 1909-a,
viti i hapjes së saj, të shënojë fillimin e
arsimit të lartë shqiptar. Normalja mund
të konsiderohet një shkollë e lartë, po të
kihet parasysh detyra e ngarkuar nga
Kongresi i Elbasanit për përgatitjen e
mësuesve që i duheshin gjithë Shqipërisë,
furnizimi i saj me kontingjente
nxënësish nga gjithë trevat shqiptare,
sigurimi i profesoratit me mësues nga të
gjitha trevat, niveli i lartë dhe europian i
profesoratit të saj, leksionet e shaptilografuara,
tekstet e veprat e hartuara
për nxënësit, planet e programet, botimi
i një reviste periodike për disa vjet, prodhimi
i gjeneratave të tëra arsimtarësh
që arsimuan gjithë Shqipërinë e më
gjerë. Kulturë europiane dëshmojnë
edhe pjesëmarrja në banda muzikore si
instrumentistë, ngritja e një trupe teatrale
dhe e një kori, organizimi i disa shfaqjeve
teatrale a muzikore, veprimtari këto që,
për organizimin e masivitetin, vlerësohen
kudo si dukuri të një qytetërimi modern.
Shkolla "N.Frashëri" shquhet edhe
për diçka tjetër të jashtëzakonshme, për
muzeun e saj, i pashoq dhe unikal në
llojin e vet në mbarë vendin për nga konceptimi,
ndërtimi e pasuria dokumentare.
Muzeu i shkollës është kryesisht fryt
i punës së palodhur e të talentuar të "Mësuesit
të merituar" Sami Domni, mësues
i shkollës në më shumë se tre dhjetëvjeçarë.
Me punën e tij plot talent e
me përkushtim ai ka ndërtuar një muze
shumë të pasur, me grumbullimin e
sistemimin e dokumentacionit të plotë
deri në detaje për nxënësit e mësuesit,
me fototekën e regjistrimet dëgjimore të
zërit të disa personaliteteve etj. Muzeu i
shkollës "N.Frashëri" është unik jo vetëm
në Shqipëri, por besoj edhe në Ballkan.
Vetëm duke e vizituar bindesh për këtë.
Jam i sigurt se ai do të bëhet një qendër
vizitash e përvoje për gjithë mësuesit e
vendit e më gjerë. Në "N.Frashëri", në
Normale dhe në Ushtrimore frynin erërat
e pedagogjisë, psikologjisë dhe shkencave
bashkëkohore të universiteteve europiane.
Madje shtypi i kohës së diktaturës,
duke marrë shkas nga numri i madh
i akademikëve elbasanas, shkruante se
"në Akademinë e Shkencave fryjnë erërat
e Elbasanit"(!)
Trupat mësimore të shkollës
"N.Frashëri" kanë qenë në vite mjaft cilësore.
Në të kanë shërbyer mësues, ndër
më të mirët e rrethit. Ka mësues e drejtues
të zotë që kanë punuar në shkollë
dhjetë vjet e lart; ka mësues që kanë kryer
studimet jashtë e janë punësuar në
"N.Frashëri"; ka raste kur drejtues të arsimit,
deri edhe shefa të arsimit, drejtorë
shkollash, metodistë të rangut kombëtar,
kanë kaluar si mësues në shkollën
"N.Frashëri"; ka pasur mësues të ardhur
nga trevat e tjera të Shqipërisë, midis tyre
edhe nga Kosova. Midis mësuesve të shkollës
sonë shquheshin shumë metodistë,
mendimi pedagogjik i të cilëve shtjellohej
në artikuj e studime dhe vihej në
jetë në të gjithë vendin; disa ish-nxënës
të shkollës ktheheshin pas mbarimit të
studimit si mësues, disa, me kohë, kalonin
në Normale. Ndër katër mësuesit e
parë, përveç "Mësuesit të popullit" Fejzë
Guranjaku, Haxhi Myslymit, Myrteza
Karadakut, shquhej edhe mësuesi Hysen
Efeni Ceka, i cili së bashku me Lef
Nosin e Simon Shuteriqin përbënin një
treshe veprimtarësh në Elbasan e që
kishin si pasion mbledhjen e materialeve
gjuhësore e folklorike në terren dhe në
përhapjen e shqipes në popull*4. Shumicën
dërrmuese të mësuesve të parë të
shkollës "N.Frashëri" e përbënin elbasanasit,
por aty kanë shërbyer edhe të
ardhur nga treva të tjera, si gjakovari patriot
Ahmet Gashi, "Mësues i popullit",
themelues i orkestrës frymore dhe autor
i disa teksteve gjeografike e hartash; shkodrani
i mirënjohur dhe mjaft i talentuar,
Zef Kolombi, "Piktor i popullit" e "Mësues
i merituar"; Salih Çeka, "Mësues i
popullit" etj. Ky gërshetim kuadrosh
gjithëkombëtar do të vijë duke u zgjeruar
e do të bëhet tipar i Normales, gjë që
është karakteristikë e shkollave të larta,
ku kontingjenteve mbarëkombëtare u
përgjigjen edhe pedagogët mbarëkombëtarë.
Shkolla "N.Frashëri" u bë në vite laborator
i eksperimentimit të metodave
dhe teknikave të reja të mësimdhënies.
Nisma të shumta zënë fill aty. Shumë eksperimente
janë kryer në shkollën
"N.Frashëri" nga Instituti i Kërkimeve
Pedagogjike e Ministria e Arsimit, siç janë
ajo e përshpejtimit të mësimit të gjuhës
së huaj ndër fëmijë, eksperimentimi i teksteve
të reja, demokratizimi e modernizimi
i procesit mësimor-edukativ sipas
projektit "Danida"; në këtë shkollë u gërshetua
përvoja perëndimore e sjellë nga
jashtë nëpërmjet mësuesve, me përvojën
e re perëndimore, kryesisht të Danimarkës,
nëpërmjet vajtjeve të mësuesve
atje. Shumë herë nxënësit e saj janë shpallur
fitues në Olimpiada Kombëtare, janë
fituar me dhjetëra kupa sportive, diploma
e certifikata veprimtarish sportive;
puna artistike me nxënësit (grupet korale
e të baletit) ishte masive dhe e
përhershme; takimet mësues-prindër
dhe konsultimet e drejtuesve të shkollës
me personelin mësimor nuk mungonin
kurrë.
Mund të nxjerrim tani disa përfundime
të përgjithshme:
-Tradita kulturore dhe arsimore e Elbasanit,
si dhe mbështetja e popullit elbasanas,
mundësuan hapjen e shkollave
shpejt e në nivele të larta, siç janë shkollat
e mirënjohura "N.Frashëri" e Normalja;
-Mësuesit atdhetarë brumosin
nxënës atdhetarë;
-Mësues të aftë e të përkushtuar ndaj
profesionit edukojnë nxënës të ditur e
me perspektivë;
-Hallka bazë e arsimit kombëtar është
fillorja, prandaj bazat e shëndosha të
një kombi hidhen me punën e mirë fillestare
që në bankat e arsimit fillor;
-Shkolla "N.Frashëri", Normalja, Ushtrimorja
dhe shkollat e tjera e bënë Elbasanin
shumë të njohur në Shqipëri,
Kosovë, Maqedoni, Çamëri dhe më gjerë;
bie në sy te personalitetet e mësuesit elbasanas,
si dhe tek elbasanasit në
përgjithësi, atdhetarizmi, profesionalizmi
në edukim, përkushtimi, dashuria
për gjuhën shqipe, erudicioni dhe ndikimi
europian perëndimor.
Ndihem krenar për traditën e shkëlqyer
dhe emrin e mirë të shkollës;
përkujtimi i këtij jubileu, 100-vjetori i
shkollës "N.Frashëri", mua, ish-nxënësit
të kësaj shkolle, më jep rastin dhe
kënaqësinë të vlerësoj dhe të kujtoj me
nderim këto personalitete të arsimit, të
shkencës, të kulturës e artit, disa prej të
cilëve kanë qenë edhe mësuesit e mi, si
dhe uroj që kujtimi dhe vepra e tyre të
rrojnë në shekuj si shembull për brezat e
ardhshëm dhe shkolla "N.Frashëri" të
mbetet yll i pashuar dhe nder i arsimit
tonë kombëtar.
prof.dr. Mehmet Çelikut
1) Shkolla "N.Frashëri", si e para shkollë
fillore zyrtare në Elbasan, u hap më
02.08.1908 (disa muaj para Normales). Më
parë ajo mbante emrat "Shkolla Qendrore",
"Teboja", "Plotore" dhe më 16 shtator 1935
u quajt shkolla "Naim Frashëri".
2) Si themelues të Ushtrimores mbahen
Sulë Harri dhe Ahmet Duhanxhiu (Abdyl
Paralloj, themelues të Shkollës Ushtrimore
në Elbasan, Fjala e lirë, 11.01.1992).
3) Në Elbasan kishte mjaft raste kur në
të njëjtën familje, brez pas brezi, shquheshin
figura veprimtarësh, si në familjen
Paparisto shquhen Papajani i Paparistos,
Dhimitër Paparisto, i cili ishte mësues i shkollës
"N.Frashëri", por njëkohësisht psalte
shqip në kishë Sotir Paparisto, ish-nxënës i
shkollës e pastaj profesor i gjuhës frënge.
4) Në Elbasan, çështja e gjuhës shqipe,
mbledhja, studimi e përhapja e saj shihej si
shfaqje e atdhetarizmit dhe frymëzohej nga
Rilindja e paraardhësit elbasanas si Kristoforidhi,
Todri etj. Njerëz të pasionuar e atdhetarë,
duke përfshirë edhe njerëzit e
thjeshtë, zanatçinjtë e dyqanxhinjtë, siç
ishte për shembull Manthe Papajani,
mblidhnin fjalë e shprehje e ua dorëzonin
studiuesve specialistë. Gjuha në Elbasan
ishte një angazhim masiv e i përditshëm.
Rrugën e hapi Kristoforidhi, e vazhdoi
A.Xhuvani, L.Dodbiba, Q.Haxhihasani etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›