Noterët që u mbyllin derën inspektorëve të Ministrisë, pa licencë për 2 vjet
Laureta Rryçi
Noterët që u mbyllin derën inspektorëve të Ministrisë së Drejtësisë për kontrolle rrezikojnë të humbasin licencën për dy vjet me radhë. Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, ka shfrytëzuar projektligjin e ri për noterinë për të zgjidhur ndoshta konfliktin më të madh mes institucionit që ai drejton dhe zyrave të noterëve. Specialistët e kësaj ministrie, të gjendur përballë faktit që shpeshherë noterët kanë mbyllur dyert për të shmangur kontrollet, kanë vendosur t’i kushtëzojnë ata me penalitete shumë herë më të ashpra se ato që janë në fuqi.
Projektligji për noterinë ka përcaktuar rregulla të reja jo vetëm për ndëshkimin e tyre, por edhe për rastet kur duhet të dorëzojnë vulën. Gazeta “Albania” po zbardh pjesë nga projekti, që flasin pikërisht për këtë çështje.
Masat disiplinore
Noteri dënohet me masën disiplinore “Paralajmërim me shkrim për heqje të lejes së ushtrimit të profesionit” në ato raste kur nuk mban dhe nuk ruan regjistrat dhe dokumentet e hartuara prej tij në mënyrën e duhur; kur shkel detyrimet për ruajtjen dhe përdorimin e vulave; kur nuk ka plotësuar kushtet minimale të zyrës noteriale.
Noteri dënohet me masë disiplinore, “gjobë” deri në 3 milionë lekë kur përsërit për të dytën herë njërën nga shkeljet e mësipërme, për të cilën i është dhënë më parë masa disiplinore “paralajmërim me shkrim” si dhe kur nuk njofton ndryshimin e adresës së zyrës noteriale. Të ardhurat që vilen për masën disiplinore të gjobës, të dhënë nga ministri i Drejtësisë, derdhen në buxhetin e shtetit. Ndërsa noteri do të dënohet me masë disiplinore “pezullim nga detyra nga gjashtë muaj deri dy vjet” kur kundërshton kontrollin e urdhëruar nga ministri i Drejtësisë, apo në mënyra të ndryshme e bën të pamundur atë; kur
në ngarkim të tij ka nisur një procedim penal për veprimtarinë e tij si noter si dhe ka vepruar në kundërshtim me rregullat e parashikuara në udhëzimet përkatëse. Noterit i hiqet e drejta e ushtrimit të profesionit kur i është dhënë më shumë se një herë masa disiplinore “pezullim nga detyra”; kur i është dhënë më shumë se një herë masa disiplinore “gjobë”; kur gjatë periudhës së pezullimit të lejes ka vazhduar të ushtrojë profesionin e noterit; kur me dashje nuk ka ruajtur repertorët apo aktet e nxjerra prej tij a të depozituara pranë tij, përjashtuar dënimet e sanksionuara nga Kodi Penal; kur konstatohet se vula personale e noterit përdoret nga persona të tretë; si dhe kur ka vepruar në kundërshtim me dispozitat urdhëruese të këtij projektligji të ri. Noteri mund të bëjë ankim në gjykatën përkatëse kundër urdhrit të ministrit të Drejtësisë për dhënien e masës disiplinore ndaj tij
brenda 15 ditëve nga data e njoftimit të urdhrit.
Dorëzimi i vulës
Projektligji i ri ka përcaktuar disa raste kur vula e noterit do të kalojë në Ministrinë e Drejtësisë. Rasti i parë ka të bëjë kur noteri gjen vdekjen dhe kjo detyrë u lihet trashëgimtarëve të tij. Ndërsa rastet e tjera janë kur ndaj noterit është dhënë masa disiplinore që i kushtëzon atij të mos ushtrojë detyrën në një afat të caktuar. Vula e noterit të vdekur dhe të atij që i është dhënë masa disiplinore e heqjes së ushtrimit të veprimtarisë së noterit, nxirren jashtë përdorimit me procesverbal nga personat e autorizuar nga ministri i Drejtësisë, dhoma përkatëse e noterisë dhe Dhoma Kombëtare e Noterisë. Mosdorëzimi në mënyrë vullnetare i vulave dhe i arkivës, brenda afateve të parashikuara në paragrafët e parë dhe të dytë të këtij neni, përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë në masën 500 000 (pesëqind mijë) lekë.
Shërbimet
Gjatë përpilimit të aktit noterial është përcaktuar që noteri duhet të informojë palët për paraqitjen e një prokure të parregullt, kur njëra nga palët vepron në bazë të kësaj prokure, si dhe për pasojat ligjore që lidhen me to, dhe këto t’i paraqesë shprehimisht në akt. Më pas duhet të verifikojë me kujdes të veçantë të gjitha veprimet, natyra e të cilave tregon se ato mund të kenë lidhje me pastrimin e parave ose financimin e terrorizmit dhe tek të cilat ai: vepron në emër dhe/ose për llogari të palës për planifikimin ose kryerjen e veprimeve që kanë të bëjnë me një sërë shërbimesh. Në këto shërbime janë përfshirë blerja ose shitja e pasurive të paluajtshme ose e ndërmarrjeve; administrimi i parave, letrave me vlerë ose vlerave të tjera pasurore, hapjen ose administrimin e llogarive bankare, të kursimeve a të letrave me vlerë; themelimin, menaxhimin ose administrimin e shoqërive tregtare a të personave të tjerë juridikë, përfshirë edhe blerjen e mjeteve të nevojshme për themelimin, menaxhimin ose administrimin e shoqërive; kryerjen e transanksioneve financiare për pasuritë e paluajtshme. Në këto raste noteri është i detyruar të njoftojë strukturat shtetërore përkatëse. Çdo cenim i detyrimeve ligjore, të parashikuara në këtë ligj, e ngarkon noterin me përgjegjësi civile dhe ai përgjigjet ndaj palëve dhe personave të tretë për dëmin e shkaktuar në këtë mënyrë.
Asistentët
Asistentët që kanë plotësuar afatin 2-vjeçar pranë noterëve deri në çastin e hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe ata që e plotësojnë këtë afat deri më 31 dhjetor 2008 dhe janë regjistruar në Dhomën Kombëtare të Noterisë, kanë të drejtë të konkurrojnë për marrjen e lejes së ushtrimit të profesionit. Ministri i Drejtësisë, brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, do të përcaktojë me urdhër, njësitë vendore dhe numrin minimal të noterëve për njësi.
Projektligji, kompetencat e Këshilli të Dhomës së Noterisë
Vendos për anëtarësimin në Dhomën e Noterëve të noterit të emëruar;
zgjedh nënkryetarin e këshillit, i cili zëvendëson kryetarin në rastet e mungesës;
kujdeset për veprimtarinë e noterëve dhe kontrollon plotësimin e kushteve normale, të parashikuara për ushtrimin e veprimtarisë noteriale, si dhe zbatimin e normave etike për shmangien e konkurrencës së pandershme;
përgatit informacionin dhe i jep të dhëna komisionit të pavarur të kontrollit financiar për administrimin e pasurive të dhomës;
i dërgon Dhomës Kombëtare të Noterëve propozimin për marrjen e masave disiplinore për shkelje të konstatuara nga noterët, që e ushtrojnë veprimtarinë nën juridiksionin e dhomës;
organizon kualifikimin e vazhdueshëm të noterëve, ndjek dhe kontrollon kryerjen e asistencës pranë noterit;
thërret mbledhjen e përgjithshme dhe zbaton vendimet e saj;
mban listat e noterëve të juridiksionit të tij.
Kryetari i Dhomës së Noterëve ushtron këto kompetenca:
Përfaqëson dhomën në marrëdhëniet me të tretët;
thërret mbledhjen e përgjithshme të Dhomës së Noterëve, sipas vendimit të marrë nga këshilli i Dhomës së Noterisë;
organizon punën e përditshme të këshillit të Dhomës së Noterëve;
administron dokumentacionin e Dhomës;
nënshkruan aktet e Dhomës, si dhe mban vulën e saj;
mbikëqyr zbatimin e vendimeve të marra nga organet e tjera të Dhomës.
3 Tetor 2008