Pastrimi i parave, lista e re e subjekteve qe do te raportojne
Laureta Rryçi
Tiranë - Ndryshon skema e subjekteve që raportonin për pastrim parash. Ligji i ri për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit detyron tashmë më shumë subjekte që të denoncojnë çdo klient që dyshohet se është përfshirë në këtë veprimtari të jashtëligjshme. Gazeta “Albania” ka mundur ta sigurojë të plotë këtë skemë duke dhënë me detaje dhe detyrimet që do të ketë secili subjekt për të deklaruar aktivitetin e klientit të tij. Në listën e re janë përfshirë 27 subjekte të ndryshme që do të deklarojnë mbi aktivitetin e tyre.
Identifikimi
Subjektet duhet të identifikojnë klientët dhe të verifikojnë identitetin e tyre me anë të dokumenteve të identifikimit para se të vendosin një marrëdhënie biznesi. Kjo vlen edhe për rastet kur klienti kryen ose kërkon të kryejë një transfertë të drejtpërdrejtë, brenda ose jashtë vendit, një transaksion me një shumë të barabartë me jo më pak se 200 000 (dyqind mijë) lekë ose kundërvlerën e saj në monedha të tjera të huaja për blerjen/shitjen e fishave të lojërave të fatit, kazinove dhe hipodromeve të çfarëdo lloj forme. Duhet të identifikohen ata klientë në rastet kur kryen jo më pak se 1 500 000 (një milion e pesëqind mijë) lekë ose kundërvlerën e saj në monedha të tjera të huaja, kryer në një transaksion të vetëm, ose në disa transaksione të lidhura me njëri-tjetrin. Nëse shuma e transaksioneve nuk mësohet në kohën e veprimit, identifikimi duhet të kryhet sapo të bëhet e ditur shuma dhe të arrihet pragu i mësipërm kur ka dyshime për vërtetësinë e të dhënave të identifikimit të marra më parë si dhe në të gjitha rastet kur ka të dhëna ose dyshime të mjaftueshme për pastrim parash ose financim të terrorizmit. Është vënë si rregull i ri edhe detyrimi që subjektet duhet të identifikojnë pronarin përfitues.
Të dhënat
Për identifikimin dhe verifikimin e identitetit të klientit, subjektet duhet të regjistrojnë e të mbajnë të dhënat për personat fizikë; emrin, atësinë, mbiemrin, datëlindjen, vendlindjen, vendbanimin e përkohshëm dhe të përhershëm, punësimin, llojin dhe numrin e dokumentit të identifikimit, autoritetin që e ka lëshuar, si dhe të gjitha ndryshimet e bëra në çastin e kryerjes së veprimit financiar. Për personat fizikë që zhvillojnë veprimtari fitimprurëse: emrin, mbiemrin, datën e vendimit të regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, dokumentin që vërteton objektin e veprimtarisë, NIPT-in, adresën dhe të gjitha ndryshimet e bëra në çastin e kryerjes së veprimit financiar. Për personat juridikë privatë që zhvillojnë veprimtari fitimprurëse: emrin, datën e vendimit të regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, dokumentin që vërteton objektin e veprimtarisë, NIPT-in, adresën dhe të gjitha ndryshimet e bëra në çastin e kryerjes së veprimit financiar. Për personat juridikë privatë që nuk zhvillojnë veprimtari fitimprurëse: emrin, numrin dhe datën e vendimit të gjykatës për regjistrimin si person juridik, statutin dhe aktin e themelimit, numrin dhe datën e lejes së ushtrimit të veprimtarisë nga organet tatimore, selinë e përhershme dhe natyrën e veprimtarisë. Për përfaqësuesit ligjorë të klientit: emrin, mbiemrin, datëlindjen, vendlindjen, vendbanimin e përkohshëm dhe të përhershëm, llojin dhe numrin e dokumentit të identifikimit, autoritetin që e ka lëshuar dhe kopjen e aktit të përfaqësimit. Subjektet duhet të pranojnë nga klienti për të marrë të dhëna për të vetëm dokumente origjinale ose fotokopje të noterizuara. Subjekti mban në dosjen e klientit kopje të vulosura me vulën e subjektit, të dokumenteve të paraqitura nga klienti brenda afatit të vlefshmërisë së tyre.
Subjekte që raportojnë për pastrim parash
Bankat tregtare
Institucionet financiare jobankare
Zyrat e këmbimeve valutore
Shoqëritë e kursim-kreditit dhe unionet e tyre
Shërbimet postare që kryejnë shërbime pagesash
Çdo person tjetër, fizik ose juridik, që emeton apo menaxhon mjetet e pagesës ose të parasë ose kryen transferimin e vlerës (karta debiti dhe krediti, çeqe, çeqe udhëtari, urdhra pagese dhe
urdhërpagesa bankare, para elektronike ose instrumente të tjera të ngjashme)
Bursat dhe çdo subjekt tjetër (agjent, broker, shtëpi brokerimi etj.), që ushtron veprimtari për emetimin, këshillimin, ndërmjetësimin, financimin dhe çdo shërbim tjetër që ka lidhje me tregtimin e titujve
Shoqëritë që merren me sigurimin e jetës ose risigurimin, agjentët apo ndërmjetësit e tyre, si dhe fondet e pensionit
Autoriteti Shtetëror Përgjegjës për Administrimin dhe Shitjen e Pronës Publike dhe çdo person tjetër juridik publik që kryen veprime juridike lidhur me tjetërsimin dhe dhënien në përdorim të
pronës shtetërore, ose që kryen evidentimin, transferimin apo tjetërsimin e pronës shtetërore
Lojërat e fatit, kazinotë dhe hipodromet, të çfarëdo forme
Agjentët e pasurive të paluajtshme dhe ekspertët e vlerësimit të pasurive të paluajtshme
ekspertët kontabël të autorizuar të pavarur, kontabilistët e miratuar të pavarur dhe zyrat e konsulencës financiare
Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale
Çdo person fizik ose juridik, përveç atyre të specifikuar më sipër, të cilët merren me:
Administrimin e aseteve të të tretëve/drejtimin e veprimtarive të lidhura me to
Qiratë financiare
Ndërtimet
Biznesin e metaleve dhe të gurëve të çmuar
Huat financiare
Marrëveshjet dhe garancitë financiare
Shitblerjen e veprave të artit apo shitblerjen me ankand të sendeve me vlerë 1 500 000 lekë ose më shumë
Sigurimin dhe administrimin e parasë fizike ose të letrave me vlerë lehtësisht të konvertueshme, në emër të personave të tretë
Këmbimin e parasë fizike
Tregtimin e mjeteve motorike
Veprimtaritë e spedicionit dhe të transportit
Agjencitë e udhëtimit
Avokatët, noterët dhe përfaqësues të tjerë ligjorë, kur përgatisin ose kryejnë transaksione për klientët e tyre për veprimtaritë e mëposhtme: kalimin e pronësisë së pasurive të paluajtshme, administrimin e parave, të letrave me vlerë
ose të aseteve të tjera; administrimin e llogarive bankare, administrimin e pjesëve të kapitalit që do të përdoren për themelimin, funksionimin ose administrimin e shoqërive tregtare, krijimin, funksionimin ose administrimin e personave juridikë, marrëveshjet ligjore, shitblerjen e aksioneve ose të pjesëve të kapitalit të shoqërive aksionare dhe transferimin e veprimtarive tregtare
3 Tetor 2008