Kryesia e PS-së mbështet Grupin Parlamentar për reformën zgjedhore
Kryesia e Partisë Socialiste ka zhvilluar dje mbledhjen e saj, për të diskutuar në lidhje me përgatitjen dhe organizimin elektoral në prag të procesit të ardhshëm zgjedhor.
Një prej çështjeve kryesore të diskutuara në mbledhjen e djeshme ka qenë mënyra e funksionit të strukturave të PS-së në nivel qendror dhe vendor, për të përballuar me sukses zgjedhjet parlamentare të vitit 2009. Zëdhënësja e Kryesisë së PS-së, Mimi Kodheli, nëpërmjet një deklarate për shtyp tha: “Sekretariati i PS-së dhe anëtarët e PS-së kanë marrë një angazhim të plotë politik për të drejtuar këtë proces të rëndësishëm të muajve të ardhshëm. Në të njëjtën kohë Kryesia e PS-së është e përqendruar edhe te programi qeverisës, që do të finalizohet në javët në vijim, i cili më pas do të diskutohet gjerësisht me grupet e interesit dhe publikun. Kryesia e PS-së e vlerëson këtë program si një risi në politik bërjen shqiptare, ku për herë të parë një forcë politike në opozitë punon së bashku me qytetarët për t'u ofruar një zgjidhje konkrete problemeve dhe shqetësimeve të përditshme”, - tha Kodheli. Ajo bëri të ditur se kryesia e Partisë Socialiste i ka ofruar mbështetje të plotë Grupit Parlamentar dhe
përfaqësuesve të PS-së në Kuvend për të përfunduar me sukses reformën zgjedhore, të cilën PS-ja e konsideron prioritetin e axhendës së saj parlamentare.
3 Tetor 2008