E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paketa e "shpëtimit", gati dështimi i dytë?

Senati Amerikan miratoi të
mërkurën paketën e riparë
të administratës së Bushit
që synon të ndreqë situatën e
krizës në vend. Bëhet fjalë për
një version të riparë të paketës,
së cilës i ishin bërë disa ndryshime
jo thelbësore. Kjo votë
mundëson rivotimin ligjit sot në
Kongres. Të hënën ligjvënësit e
Kongresit e rrëzuan ligjin, duke
e cilësuar si të papërshtatshëm
për shpëtimin e situatës. Fitorja
e arritur në Senat nuk e garanton
fitoren në Kongres dhe madje
frika është e madhe në radhët
e Bushit për një tjetër dështim,
që tashmë do ta shkatërronte
përfundimisht planin e Shtëpisë
së Bardhë. Gjatë ditës së
djeshme, pas votës së Senatit,
Christopher Dodd, kreu
demokrat i Komisionit për
Bankat në Senatin Amerikan,
deklaroi se mbështetja bipartizane
për planin ishte e vështirë
të arrihej. Për sa i përket kandidatëve
presidencialë, ata shkuan
të gjithë të mërkurën në Washington
për të votuar në favor të
planit. Por ndërsa Senati e dha
votën, Kongresi pritet të jetë
tjetër gjë. Deri tani nuk ka asgjë
të sigurt për kalimin e ligjit dhe
madje ka pretendime se "ndreqjet"
që i janë bërë ligjit në Senat
janë
më shumë për të bërë për
vete republikanët që janë
kundër tij. Kjo taktikë ka fituar
pakënaqësi nga radhët e
demokratëve dhe nëse me ndryshimet
e ligjit mund të fitosh 12
vota republikanësh, mund të
humbësh njëherazi 20 vota
demokratësh. Gjatë gjithë ditës
së djeshme, Presidenti Bush dhe
mbështetësit e tij, kanë bërë një
lobin intensiv për mbështetjen
e ligjit. Bush vetë doli edhe një
herë për të ribërë thirrjen e tij për
mbështetje në votën kongresuale.
Gjatë fjalës para gazetarëve
në përfundim të një takimi me
biznesmenë vendas, Bush tha se
kriza e tregjeve financiare për shkak
të mosaprovimit të paketës
ka rrezik që të kërcënojë edhe bizneset
e vogla dhe se për këtë
dhe arsye të tjera "Kongresi duhet
të dëgjojë" dhe të kalojë ligjin
duke qenë se sipas tij është i vetmi
që mund të shpëtojë ekonominë
nga kriza. Paketa e refuzuar në
Kongres u rikthye dje në Senat për
të marrë një shpresë rivotimi të
dytë që ka shumë gjasa të ndodhë
sot. Ndërkohë shqetësimi te
njerëzit sa vjen e po bëhet më i
madh dhe vetë punonjësit e Wall
Street janë stresuar dhe po mendojnë
se ndoshta as miratimi i
paketës nuk do të mjaftojë për të
zgjidhur problemin e madh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›