E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: “Unë Kryeministër deri sa të krijohet qeveria”

Autori i Lajmit: Plarent Shehu
Mbledhje qeverie

“Kushtetuta e ka të përcaktuar se Parlamenti i ri mblidhet ditën që skadon mandati i Parlamentit tjetër, ndërkohë që Parlamentit tjetër, mandati i skadon ditën që ai është mbledhur. Pra, rreth 3 ose 4 shtatorit”

Kreu i ekzekutivit, Sali Berisha, ka deklaruar dje në mbledhjen e parë pas zgjedhjeve të 28 Qershorit se do të jetë ai Kryeministër, derisa të mund të krijohet qeveria e re, e cila sipas tij, nuk mund të arrijë të formohet deri në shtator. Gjatë mbledhjes së qeverisë, Berisha nënvizoi po ashtu se kabineti qeveritar do të vazhdojë me intensitet punën për reformat në vend, deri në krijimin e qeverisë së re. Duke shpjeguar rrugën kushtetuese në vijim për krijimin e qeverisë së re, Berisha u shpreh: “Qytetari është i interesuar për qeverinë e re dhe kjo është normale, pasi zhvilluam zgjedhje dhe ato prodhojnë qeverinë e re. Natyrisht, koalicioni ynë u certifikua. Qeveria e re mund të krijohet sapo të shpallet rezultati, por kjo nuk do të ndodhë, sepse kemi një përcaktim kushtetues. Pasi Presidenti i Republikës emëron Kryeministrin, ai, brenda 10 ditëve, duhet t i paraqesë programin Parlamentit të vendit. Ky është një obligim kushtetues. Mirëpo, kjo gjë nuk mund të ndodhë para konstituimit të Parlamentit të ri. Natyrisht, programi i qeverisë së re do t i paraqitet Parlamentit që doli nga këto zgjedhje për miratim. Kushtetuta e ka të përcaktuar se Parlamenti i ri mblidhet ditën që skadon mandati i Parlamentit tjetër, ndërkohë që Parlamentit tjetër, mandati i skadon ditën që ai është mbledhur. Pra, rreth 3 ose 4 shtatorit”. Në këtë kontekst, Kryeministri kërkoi nga ministrat që qeveria aktuale të vazhdojë të funksionojë. “Unë nuk kam ndërmend të përdor variantin e ecjes së punës me zëvendësministrat, një praktikë kjo sporadike. Jo. Unë kam ndërmend të vazhdoj me intensitet reformat deri ditën e krijimit të qeverisë së re. Ndaj dhe unë, ju ftoj ju, zotërinj ministra – natyrisht koalicioni do të zgjerohet – por ju ftoj ju zotërinj ministra, që, së bashku me bashkëpunëtorët tuaj, me administratën, të intensifikojmë të gjitha përpjekjet. Në rast se ndonjë detyrë, e cila mund të ketë pësuar ndonjë shtytje, shmangie, për shkak të fushatës zgjedhore, ajo le të vendoset në axhendë dhe të funksionojmë normalisht”,- tha ai.
Ky lajm është publikuar: 02/07/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›