E Diel, 1 Nëntor 2026

Majko: “Negociata me LSI, "jo" Metës kryeministër”

Autori i Lajmit: red.
Partia Socialiste është e gatshme të negociojë me Lëvizjen Socialiste për Integrim, nëse fiton dhe siguron të drejtën për të krijuar qeverinë e ardhshme. Ky pohim është bërë dje nga kandidati socialist i qarkut të Korçës, Pandeli Majko. Ai pohoi se Partia Socialiste do të realizojë negociata me LSI-në bazuar në standarde të larta, ndërsa shtoi se këto negociata përjashtojnë alternativën e Metës si kryeministër. Në krye të kabinetit të ardhshëm nuk mund të jetë në asnjë mënyrë Ilir Meta, nëse ky do jetë kushti i vetëm që do të vendosë Lëvizja Socialiste për Integrim për bashkëpunimin. Lidhur me alternativat bashkëpunuese, në rast fitoreje të së majtës, është pyetur dy ditë më parë dhe kreu i Komitetit Drejtues Kombëtar të LSI-së, Edmond Haxhiansto. Ai ka pohuar se diskutimet për krijimin e koalicionit paszgjedhor do të nisin vetëm pasi të ketë përfunduar dhe numërimi i kutisë së fundit. “Kjo është çështje që në mënyrë absolute nuk diskutohet tani. E gjithë vëmendja jonë përqendrohet në përfundimin e procesit zgjedhor derisa të mbyllet procesi zgjedhor dhe të hapet kutia e fundit e votimit dhe të kemi një rezultat përfundimtar, vetëm atëherë, duke pasur parasysh rezultatet e zgjedhjeve, ne do të fillojmë të bëjmë vlerësimin e tij dhe të mendojmë për gjërat e tjera që kanë të bëjnë me mandatet përkatëse që do të marrim”, - ka thënë Haxhinasto.
Ky lajm është publikuar: 02/07/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›