E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: “Unë bëj inaugurime, opozita pushime”

Autori i Lajmit: Suela Topi
“Këtë vit investimet në rrugët e vendit kapin shifrën e 1,2 miliard dollarëve. Kjo tregon se Qeveria ka investuar tetë herë më shumë sesa ç është investuar në vitin më maksimal të qeverisë së mëparshme, pra në vitin 2004”

Kryeministri Sali Berisha u kundërpërgjigjet akuzave të opozitës për mungesën e investimeve dhe mosmbajtjen e premtimeve për infrastrukturën rrugore. Gjatë përurimit të rrugës Gjirokastër-Tepelenë, ai ftoi opozitën që t i vizitojë nga afër rrugët e vendit për të ndryshuar mendim. Duke ritheksuar se këtë vit investimet në rrugët e vendit kapin shifrën e 1,2 miliard dollarëve, Berisha tha se kjo tregon se Qeveria ka investuar tetë herë më shumë sesa është investuar në vitin më maksimal të qeverisë së mëparshme, pra në vitin 2004. Kryeministri, pasi foli gjatë mbi projektet e rrugëve, vlerësoi se kjo punë e përmasave voluminoze që po bëhet në rrugët e Shqipërisë, është fryt i një disipline fiskale të konsoliduar tashmë. Projekti për rrugën Gjirokastër - Tepelenë, pjesë e Korridorit Veri-Jug, konsiston në përmirësimin dhe modernizimin e rrugës ekzistuese që fillon 3 km në veri të qytetit të Gjirokastrës. Rruga me gjatësi 22,5 km, dhe gjerësi 10,8 m, me dy korsi, ka një vlerë prej 22,5 milionë eurosh, dhe është financim i Qeverisë Shqiptare në bashkëpunim me Bankën Evropiane dhe një granti të Komisionit Evropian.
Premtimet
Në vijim të turit “Shqipëria po ndryshon”, kryeministri Berisha vizitoi dje Tepelenën, ku mori pjesë në përurimin e rrugës Gjirokastër - Tepelenë, e më pas zhvilloi një takim me banorët e zonës, tek Uji i Ftohtë në Tepelenë. Duke uruar banorët e zonës dhe të gjithë Jugut, për rrugën e re, kryeministri Berisha në përshëndetjen e tij u shpreh se rruga e përfunduar i jep tashmë transportit të Gjirokastrës dhe Tepelenës një pamje tërësisht evropiane. Berisha tha se rruga e re Gjirokastër-Tepelenë ështe një segment i rëndësishëm i boshtit Veri-Jug, ndërsa shtoi se shumë shpejt do të nisë puna për rrugën Levan-Tepelenë, për të cilën po kryhet studimi i fizibilitetit. “Dua t u garantoj se boshti i Jugut nuk do të hiqet nga axhenda e Sali Berishës. Me këtë rrugë ne shkurtojmë mbi 70 km distancën Tepelenë - Tiranë dhe kjo mbetet një përparësi e qeverisë sime”, - theksoi Kryeministri. Ai pohoi se ka pasur një vonesë në ndërtimin e kësaj rruge, e cila ka qenë plotësisht e justifikuar. “Kemi ruajtur këtë kompleks, këtë bukuri mahnitëse, të cilën projekti i parë e zhdukte. Nuk mund të pranonim ne t i zhduknim Tepelenës një nga oazet, burimet dhe veprat natyrore më të bukura të Shqipërisë, siç është Uji i Ftohtë”, - tha Berisha. Kreu i Ekzekutivit siguroi se studimi aktual synon të përmirësojë infrastrukturën, duke ruajtur pasuritë natyrore dhe duke i kthyer ato në pika të frekuentuara për të gjithë. “I kërkuam kompanisë të riprojektojë, duke marrë nga krahu i lumit, për të mos prekur dhe për të mos ngritur karpat në këtë zonë të mrekullueshme dhe kjo e ka bërë Ujin e Ftohtë të Tepelenës, shumë më të bukur, shumë më të përdorueshëm”, - tregoi shefi i Qeverisë. Ai theksoi se angazhimi i Qeverisë për ta bërë Shqipërinë me rrugë evropiane do të përmbushet plotësisht. “Kemi në ndërtim e sipër 800 km autostrada dhe rrugë kombëtare. Kemi në rikonstruksion dhe kemi rikonstruktuar mbi 1900 km rrugë ekzistuese kombëtare. Ne po ndërtojmë qindra dhe mijëra kilometra rrugë në të gjitha fshatrat e Shqipërisë, në të katër anët e vendit”, - tha Berisha. Kryeministri u shpreh se, së shpejti, do të bëhet projekti për hyrjen e qytetit të Tepelenës dhe po punohet për by-pass-in e Tepelenës, by-pass i cili lidh këtë rrugë me rrugën Levan-Fier. Kreu i Ekzekutivit shqiptar gjithashtu siguroi se mbetet përparësi edhe ndërtimi i rrugëve dytësore, sigurisht brenda një afati kohor të domosdoshëm për ndërtimin e tyre. Ai theksoi gjithashtu se investimet e mëdha në infrastrukturë, të bëra nga Qeveria e djathtë, janë rezultat i një disipline fiskale të konsoliduar tashmë. Berisha garantoi se destinacioni i këtyre të ardhurave ka qenë dhe do të mbetet investimi i tyre në rrugë, autostrada, shkolla, ujësjellës e kanalizime, për t u dhënë shqiptarëve infrastrukturën moderne që ata meritojnë.

Ky lajm është publikuar: 23/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›