E Diel, 1 Nëntor 2026

“Nuk kemi kontaktuar me Cekën, me Milon ok”

Autori i Lajmit: red.
Kryetarja e Grupit të PS-së, Valentina Leskaj, mbështet deklaratën e kreut të PSD-së, i cili u shpreh i gatshëm të bashkëpunojë me partinë më të madhe opozitare. “Ne si PS kemi mbetur aty ku kemi qenë, që do të thotë të hapur për të dialoguar për të bashkëpunuar me aleatët tanë dhe me të gjithë ata aktorë, të cilët janë të interesuar për të çuar deri në fund procesin e reformave në mënyrë të veçantë është diskutuar për reformën që ka të bëjë me kodin elektoral. Pra, le të themi me mbylljen e Kodit të ri Zgjedhor”, - tha ajo. Leskaj pohoi se PS ka diskutuar dhe ka ndarë shumë opsione të përbashkëta. “Natyrisht që rruga që ne të bashkëpunojmë me PSD është në linjën e gjithë bashkëpunimit në Parlament dhe jashtë tij. Në shumë pika të ndryshimeve në kodin elektoral përputhemi me njëri-tjetrin, në mënyrë të veçantë PSD-ja është në një linjë me ne. Natyrisht që kemi dhe diferenca, është normale, partitë janë të ndryshme mund të kenë opsione të ndryshme përsa i përket kodit, por gjithsesi, është e rëndësishme se të dy palët kemi një vullnet të përbashkët për të vazhduar dhe thelluar bashkëpunimin, në zgjedhje dhe përtej zgjedhjeve. Për sa u përket partive të tjera, unë kam komunikuar me Kryetarin e PDS, Milo, dhe e kemi lënë që të ulemi të diskutojmë. Pra kemi rënë dakord për të qenë të hapur në bashkëpunim dhe jo vetëm me PSD, por dhe me aktorë të tjerë të politikës. Ndërsa për sa i përket një takimi me PAD dhe kryetarin Ceka, desha t ju bëj të ditur se nuk kemi kontaktuar akoma, por që jemi të hapur me këdo”,- përfundoi kryetarja e Grupit Parlamentar të PS, Leskaj.
P.Sh
Ky lajm është publikuar: 23/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›