Pitela: Opozita në Kuvend, jo vetëm për hetimin e zgjedhjeve
Erald Kapri
Zëvendëspresidenti i Parlamentit Evropian, Xhovani Pitela, vizitoi dje Tiranën zyrtare nga ku konfirmoi mbështetjen e europarlamentarëve për heqjen e vizave, por theksoi edhe rëndësinë e qëndrueshmërisë së situatës politike. Numri dy i Parlamentit Evropian në takimin me Presidentin Bamir Topi theksoi rëndësinë që ka qëndrueshmëria politike në vend, por shprehu besimin se Shqipëria do të arrijë të përmbushë detyrimet integruese. "Zëvendëspresidenti i Parlamentit Evropian, zoti Xhovani Pitela, duke shprehur besimin se Shqipëria do të arrijë të përmbushë me sukses dhe sa më shpejt detyrimet integruese për në Bashkimin Evropian, theksoi rëndësinë që ka qëndrueshmëria politike në vend për këtë proces. Zoti Pitela vlerësoi lart rolin pozitiv e moderues të Presidentit Topi për zgjidhjen e ngërçit aktual politik, duke vënë në pah gjithashtu, edhe rolin e rëndësishëm të Shqipërisë në konsolidimin e paqes e stabilitetit në rajonin Ballkanit Perëndimor dhe në integrimin e këtij rajoni në familjen evropiane", - thuhet në njoftimin zyrtar të Presidencës.
Ndërkaq, në takimin me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, Pitela tha se vendi i të gjithëve është Parlamenti. "Parlamenti është shtëpia e të gjithëve dhe ne favorizojmë dialogun aty", tha Pitela. Nga ana e saj, për situatën aktuale politike, Topalli u shpreh: "Shpresoj që deputetët e opozitës të bëhen pjesë jo vetëm e transparencës së zgjedhjeve më të mira e të ndershme të realizuara në Shqipëri, por mbi të gjitha të luajnë rolin e tyre të pazëvendësueshëm në debatet për ekonominë, shëndetin, arsimin, rrogat e pensionet".
Zëvendëspresidenti i Parlamentit Evropian dha mbështetje për procesin e liberalizimit të vizave. Kryetarja e Kuvendit i kërkoi Pitelës mbështetje në Parlamentin Evropian për heqjen e vizave, por edhe përmes influencës së tij në raportet me përfaqësues të lartë të politikës evropiane. Sipas zyrës së shtypit, Pitela i tha kryetares së Kuvendit se garanton përkrahjen dhe influencën e tij personale gjatë procesit të heqjes së vizave, por edhe në përshpejtimin e proceseve integruese.
Ndërsa në takimin me Presidentin e Republikës, Topi nënvizoi rëndësinë e mbarëvajtjes së procesit të liberalizimit të vizave, i cili do të sigurojë lëvizjen e lirë të shtetasve shqiptarë, si një hap përshpejtimi drejt integrimit në Bashkimin Evropian. "Integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE i shërben stabilitetit, demokracisë dhe zhvillimit ekonomik të këtij rajoni si dhe afirmon njëkohësisht rolin e BE-së, si një organizatë ndërkombëtare me influencë të gjerë. Shqipëria kontribuon mjaft në rritjen e stabilitetit në rajon me anë të rritjes së bashkëpunimit me vendet fqinje dhe jep garanci për zhvillimin e tij, duke luajtur kështu një rol të rëndësishëm", theksoi Presidenti Topi.