Bajern hakmerret ndaj Mançesterit
Leonard Karaj
Bajerni ka fituar ndaj Mançesterit në ndeshjen e parë çerekfinale të Kupës së Kampioneve ndërsa Lioni ka mundur Bordonë. 90 minutat e para të këtyre takimeve kanë treguar se cilët janë më të favorizuar për të shkuar në gjysmëfinalet e Kupës së Kampioneve. Bajerni ka marrë hakun e 1999-ës teksa ka mundur thuajse njëlloj Mançesterin duke kthyer gjithçka në minutat e fundit të lojës. Në fillim shënoi Mançesteri me anë të Uejn Runit dhe më pas ishte Frank Riberi që barazoi rezultatin në minutën e 77-të përpara se Ivica Oliç të shënonte edhe golin e fitores në minutën e 90-të të takimit. Ndeshja e kthimit do të luhet pas një jave në “Old Traford” ku faktikisht bavarezëve do tu mjaftonte që të barazonin ndërsa anglezëve do tu mjaftonte edhe një fitore minimale, 1-0. Duhet theksuar se skuadra e drejtuar nga Aleks Ferguson ishte larg lojërave të saj më të mira ndërsa Bajerni krijoi një volum të madh loje por vetëm në pjesën e dytë arriti të konkretizonte si duhet sulmet e vet. Ndërsa në takimin tjetër, Lioni arriti të fitojë derbin e parë me Bordonë falë një dopiete të Lisandro Lopez. Ky i fundit shënoi në minutat 10-të dhe 77-të duke i dhënë kështu më shumë siguri lionezëve për ndeshjen e kthimit ndaj skuadrës së Loren Blank. Për Kampionët e Francës shënoi i përhershmi, Shamak, gol ky që mban të gjalal shpresat e Bordosë për një kthim rezultati në ndeshjen e dytë pas një jave.
çerekfinalet/ndeshjet
Mbrëmë
Bajern-Mançester 2-1
Shënues: Riberi 76’, Oliç 90’/ Runi 2’
Ol.Lion-Bordo 3-1
Shënues: Lisandro 10’, 77’ (p), Bastos 32’/ Shamak 14’
Sonte, ora 20:45
Arsenal-Barcelona
Inter-CSKA Moskë