Berisha: Varfërisë do t‘i japim goditje pa mëshirë
Kryeministri Sali Berisha premtoi nga Porto Romano në Durrës se punësimi dhe lufta kundër varfërisë janë dy objektivat e Partisë Demokratike gjatë viteve 2009-2013. "Unë ju premtoj që në 4 vitet që vijnë do t‘i japim varfërisë goditjen më të pamëshirshme", tha Berisha. Kryeministri përuroi fillimin e punimeve për rindërtimin e rrugës Spitallë-Porto Romano. Rruga me gjatësi 2.5 kilometra dhe gjerësi 16 metra, është investim i buxhetit të shtetit me vlerë 220 milionë lekë. Berisha e konsideroi këtë segment rrugor jetik, pasi lidh Durrësin me Porto Romanon, me parkun industrial dhe energjetik. Në takimin me qytetarët, Kryeministri Berisha siguroi se në 4 vitet e mandatit të dytë, në fokus të vëmendjes sërish do të jetë jeta dhe problemet e qytetarëve. Punësimi dhe lufta kundër varfërisë, u shpreh Kryeministri, do të jenë ndër objektivat madhorë të qeverisë. "Shqipëria me infrastrukturë moderne, Shqipëria me rrugë të reja, Shqipëria me ujësjellës dhe kanalizime, Shqipëria me energji 24 orë janë zotimet tona", tha Berisha. "Këto 4 vite, ne zotohemi të shndërrojmë Shqipërinë në një eksportues të rëndësishëm të energjisë elektrike në rajon dhe më gjerë. Në këto 4 vite, ne zotohemi të rindërtojmë apo ndërtojmë nga e para çdo shkollë të vjetër në Shqipëri", theksoi Berisha.