Politika kryen homazhe për 5 Majin
Politika ka nderuar dje Dëshmorët e Kombit, duke zhvilluar homazhe te varrezat e tyre. Presidenti Bamir Topi dhe Kryeministri Sali Berisha kanë vendosur së bashku kurora me lule te monumenti "Nënë Shqipëri", duke nderuar kujtimin e 28 mijë dëshmorëve që dhanë jetën për atdheun dhe lirinë e tij. Pas ceremonisë, Presidenti Topi u shpreh se "sot është dita kur ne rifreskojmë kujtimin e të rënëve për atdhe që kontribuuan në ndërtimin e shtetit ligjor. Të gjithë së bashku sot i kujtojmë me përkushtim të madh e me përulje të thellë, sepse gjithçka që Shqipëria sot po arrin është patjetër me vlerë dhe në themel ka pikërisht veprën e tyre dhe gjakun e tyre". Kryeministri Berisha e vlerësoi 5 Majin si dita kur çdo shqiptar përulet me nderimin më të madh dhe shpreh mirënjohjen më të thellë ndaj të gjithë atyre që flijuan jetën, rininë dhe çdo gjë të shtrenjtë për lirinë e kombit dhe të vendit. "Sot, ne shqiptarët e nderojmë këtë ditë më të lehtësuar se kurrë ndaj të rënëve tanë, pasi Shqipëria, si vend anëtar i NATO-s, ëndrrën dhe idealin e tyre, për të cilin ata ranë për t‘u bërë të pavdekshëm, e ka të sigurt njëherë e përgjithmonë", u shpreh Berisha. Pjesë e ceremonisë zyrtare dje në nderim të dëshmorëve nuk është bërë Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, që sipas stafit të saj ka pasur angazhime elektorale. Siç ndodh çdo vit në këta 18 vjet në nderim të të rënëve të luftës, nuk janë bërë pjesë e ceremonisë zyrtare edhe partitë opozitare, të cilat në orare të ndryshme kanë kujtuar 5 Majin. Kryetari i PS-së, Rama, i shoqëruar edhe nga zyrtarë të tjerë të lartë të kësaj partie, kanë vënë kurora me lule te memoriali "Nënë Shqipëri". "Sot, nderohet dhe vlerësohet gjaku i derdhur nga dëshmorët për liri, por edhe viktimat e komunizmit të gjatë 45-vjeçar", u shpreh Rama. Ai kujtoi Qemal Stafën që u vra në rrugët e ëndrrës për liri, barazi dhe vëllazërim, si dhe shokët e tij, të cilët u sakrifikuan për një botë të re. Ndërsa bota e re në vend të vëllazërimit, u shpreh Rama, solli ndasitë e përgjakshme. Sipas tij, "18 vjet janë shumë për të humbur vlerat e bashkëjetesës demokratike". Gati një orë para kryetarit të PS-së, te varret e dëshmorëve ka qenë edhe kryetari i LSI-së, Ilir Meta, i cili ka nderuar kujtimin e dëshmorëve të atdheut.