E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Synojmë zhvillim të balancuar në bujqësi

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, në vijim të turit të prezantimit të programit qeverisës, është shprehur se gjatë qeverisjes socialiste do të ketë vëmendje kryesore te bujqësia. Rama u ndal në Novoselë të Vlorës, duke premtuar se zhvillimi nuk do të jetë më i pabalancuar, por përkundrazi, do të synohet një zhvillim harmonik, në mënyrë që të mos thellohet më tej pabarazia sociale. "Do të ulim edhe koston tërësore të prodhimit, duke nxitur përmes mbështetjes financiare rritjen e njësive të prodhimit dhe njëkohësisht, duke nxitur me politika të reja, edhe përmirësimin e teknologjive të prodhimit", deklaroi kreu socialist. Rama përsëriti premtimin për heqjen e akcizës së naftës, duke rikujtuar edhe premtimet e pambajtura të Kryeministrit aktual. "Sali Berisha, në vitin 2005, mori shumë vota në fshat, duke ngritur zërin në kupë të qiellit për çmimin e naftës, që atëherë ishte 600 lekë dhe për Sali Berishën ishte shumë i lartë. Ai premtoi, se me të marrë votën tuaj, do ta bënte 400 lekë çmimin e naftës. Dhe ajo që ndodhi, siç ndodh me të gjitha premtimet e Sali Berishës, ishte që jo vetëm nafta nuk zbriti, por përkundrazi çmimi i saj u dyfishua dhe u trefishua, dhe ju mbetët në mes të katër rrugëve", shtoi Rama.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›