E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish-kryeministri Meksi: Berisha, qiraxhi në PD

Ishte shkëputur totalisht nga politika. Ndiqte gjithçka në distancë dhe nuk preferonte as të votonte. Pakkush mund të mendonte se Aleksandër Meksi, pas një shkëputjeje të gjatë, do të rikthehej si protagonist. Teksa ngjarjet e vitit 1997 nuk e penguan ish-presidentin Sali Berisha të zgjidhej rishtazi Kryeministër, aq më pak mund të pengonin Meksin të rishfaqte ambiciet në skenën politike. Por, rikthimi i tij nuk është i thjeshtë. Ndryshe nga Berisha ai zgjedh të sfidojë partinë që vetë krijoi si pjesë e grupit nismëtar. Madje, sfida shkon edhe më tutje. Përtej partisë, "beteja" e Meksit është me Berishën. Në një rrëfim për "Shqip", ish-kryeministri flet për arsyet pse largohet nga selia blu për t‘ju bashkuar grupimit "Poli i Lirisë".

Zoti Meksi, jeni rikthyer sërish në politikë, duke u larguar nga Partia Demokratike për t‘iu bashkuar "Polit të Lirisë". Pse e bëtë këtë zgjedhje?

Jam munduar të jem i pranishëm në politikën shqiptare gjatë këtyre 12 vjetëve, duke shkruar mbi 350 artikuj dhe intervista që janë të gjitha të botuara e të hedhura në internet dhe kam botuar një libër mbi periudhën ‘91-‘97 (fjalime, intervista dhe opinione). Njëkohësisht jam munduar të këmbëngul mbi nevojën e demokratizimit të partive politike shqiptare nëse duan të kemi një Shqipëri demokratike me mirëqenie gjithnjë e në rritje dhe me një emër gjithnjë e më të mirë në botë. Për fat të keq këto gjëra i kam paraqitur në mënyrë formale në forume, kongrese e kuvende të PD-së dhe nuk janë miratuar nga ata që kanë zënë drejtimin e Partisë Demokratike. Mund të lexohen në to opinionet e mia, nuk kam nevojë të përsëris veten. Në mënyrë të thjeshtë po them që njeriu dëshiron të kontribuojë dhe kontribuon atje ku është vendi. Nuk mund të flitet atje ku nuk të dëgjojnë.

Jeni një ndër personat që keni një histori të gjatë në Partinë Demokratike, duke marrë parasysh faktin që keni qenë Kryeministër dhe aktualisht vazhdoni të jeni anëtar i Këshillit Kombëtar të kësaj partie, a keni pasur negociata me Partinë Demokratike për të hyrë në listat e saj për zgjedhjet e 28 qershorit?

Ka një statut në të cilën futet një rresht si jetim: ‘një anëtar, një votë‘. Ka 10 vjet që kërkohet kjo gjë e që nuk është zbatuar dhe ende nuk zbatohet. Gjithashtu ka edhe një normë, ku tregohet se sa herë duhet të mblidhet (në çdo tre muaj) Këshilli Kombëtar, sepse është ai që miraton gjithçka. Ai nuk është mbledhur asnjëherë, të paktën të mblidhej për të njoftuar se çfarë është vendosur një ditë më përpara. Dhe me shaka e kam thënë gjithnjë se është vetëshpërndarë. Kjo është e mjaftueshme për të kuptuar këtë dukuri që dikujt mund t‘i duket e re. Pastaj, Partia Demokratike është partia që ka në program demokracinë, nuk është partia e atyre që rrinë në godinën e Partisë Demokratike, ata janë thjesht qiraxhinj, pra kalimtarë.

Cilat janë marrëdhëniet tuaja me kryetarin e PD-së, Sali Berisha, nënkryetaren Jozefina Topalli dhe deputetët e tjerë demokratë?

Ecim nëpër rrugë të ndryshme në Tiranë, kështu që nuk na ka rastisur të takohemi. Ndoshta me vetëdije i shmangim këto rrugë që i shkelim, duke ditur se nga e ka shtëpinë njëri apo tjetri, se kuptoj.

Keni kohë pa u takuar, qoftë edhe si ish-miq të vjetër?

S‘mbahet mend...

U shprehët që keni kohë pa kontaktuar me liderin e Partisë Demokratike. Cilat janë arsyet e ftohjes suaj dhe sa kanë interferuar të "tretët" në marrëdhënien Berisha-Meksi?

Nuk e kam për zakon të shprehem për gjëra të tilla, ato janë thjesht politike, që lidhen me PD-në.

U referohemi zgjedhjeve. Ju jeni i pari në listën e LZHK-së për Qarkun e Tiranës. Pse populli i Tiranës duhet të votojë për Aleksandër Meksin dhe jo për Sali Berishën, apo Jozefina Topallin

në zgjedhjet e 28 qershorit?

Së pari, duhet t‘ia bëni pyetjen popullit të Tiranës, d.m.th. individëve që shprehen "nuk votojmë kështu, por do të votojmë ashtu". Unë, që s‘kam votuar që prej 1997-ës, këtë herë do të votoj për "Polin e Lirisë". Do të votoj përsëri për një program, i cili realisht do të hartohet për të ndryshuar Shqipërinë.

Meqenëse po afrohet edhe afati i fundit për hartimin e listës së kandidatëve për deputetë, cilët janë emrat e tjerë që priten t‘i bashkohen "Polit të Lirisë"?

Do të thosha që nuk jam shumë i informuar. Di që kanë filluar përgatitjet dhe janë drejt përfundimit. Por mos u habisni që nuk dihen, pasi akoma partitë e mëdha sikur po hezitojnë dhe ka rrezik që ndonjëra nga `kandidaturat` të digjet, sepse për dy sekonda apo minutat e fundit të 13 majit të paraqiten në KQZ listat me kandidatët. Kur s‘po i paraqesin ato publikisht, imagjinoni ne.

Ka ndonjë arsye pse liderët e partive të mëdha po tremben për të publikuar emrat e kandidatëve paraprakisht, po e lënë gjithçka në momentin e fundit?

Nuk po them që tremben, por nuk kanë qejf t‘i thonë, sepse normalisht në demokraci emrat e kandidatëve i caktojnë kryesitë e partive dhe jo kryetari, me përjashtim të dy a tre emrave të parë. Duhet të merret mendimi i bazës së partisë, se ata kanë për t‘i votuar, sepse kësaj i thonë të votosh për të tretë, d.m.th. unë ta jap votën ty si parti dhe t‘i ia transferon votën kujt të dëshirosh. Sot mungon kontakti dhe nesër edhe përgjegjësia "zgjedhës dhe i zgjedhur". Mesa duket këto muhabete këta i kanë të vështira për t‘i bërë dhe do t‘i marrim vesh ditën e fundit. Me atë rast kanë edhe favorin për të mos shkuar në parti të tjera ata që nuk gjejnë emrin në listën e PD-së dhe PS-së.

Cila është strategjia juaj? Çfarë programi do të ketë "Poli i Lirisë"?

Në vija të përgjithshme është që të përmbysen mjaft nga absurditetet e kësaj qeverisjeje, nga voluntarizmi, nga dëshira për etatizëm, nga shkeljet në fusha të ndryshme, si nepotizmi dhe çështje të tjera si transparenca, formimi dhe demokracia e brendshme partiake. Shqipëria sot, më shumë se kurdoherë ka nevojë për angazhimin e të gjithëve, për të siguruar demokracinë dhe lirinë, për të siguruar reformimin demokratik dhe ekonomik e për të mundësuar integrimin aq të dëshiruar nga të gjithë ne në Evropën e Bashkuar. Në një kuadër të tillë duhet kuptuar edhe kjo përfshirja ime në politikën aktive. U ngritëm në dhjetor të gjithë për liri dhe demokraci dhe për ta bërë Shqipërinë si Evropa. Shumë rrugë e ndryshime janë bërë që atëherë, por ka mbetur ende për t‘u korrigjuar, sepse shohim që mungon vullneti politik që të bëhen si duhet. Ne i njohim nevojat e kombit, ne do të punojmë për të paraqitur një program për vënien në jetë të të cilit do të luftojmë si forcë politike, ku do t‘u jepet zgjidhje problemeve ekonomike, zhvillimit të vendit, uljes së varfërisë, kthimit te puna, zgjidhja përfundimtare e problemeve të zvarritura si ato të dëmshpërblimit të ish të përndjekurve politikë dhe kthimit e kompensimit të pronave, mbrojtjes sociale të të varfërve dhe atyre në nevojë, kthimit të një sistemi fiskal të qëndrueshëm, si ai i vendeve evropiane dhe jo një sajesë "specifike" shqiptare. Do të punojmë për forcimin e rendit publik dhe të ruajtjes së kufijve si kushte për të udhëtuar në Evropë pa viza. Do të zhvillojmë një luftë të pandërprerë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar me ligje bashkëkohore, që sot janë deformuar në fushën e prokurimeve, koncesioneve dhe kontrollit të pasurisë së bashku me konfliktin e interesit dhe nepotizmin.

Kemi vënë re shumë pakënaqësi tek anëtarët e PD-së, a do të jenë ata të mirëpritur te "Poli i Lirisë", në rast se largohen nga Partia Demokratike?

Unë nuk jam sot pjesë e PD-së. Sot jam prezantuar si lider i "Polit të Lirisë" dhe grupimeve që merren me hartimin e politikave. Nuk mund të them dot saktë se sa janë të tjerët. Di që në kohëra jo shumë demokratike, njerëzit të cilët kanë biznese apo janë në punë shteti do mundohen të shmangen. Shpresoj t‘i japin votën e tyre.

"Poli i Lirisë"

Ndoka dhe Shehi prezantojnë Meksin

"Poli i Lirisë" vendos ish-kryeministrin Aleksandër Meksi kandidatin e parë në listën për deputet në Qarkun e Tiranës, duke e cilësuar edhe liderin politik të këtij grupimi. Në listën e kandidatëve për deputetë, i dyti qëndron kryetari i LZHK-së, Dashamir Shehi, ndërsa Nard Ndoka dhe Gilman Bakalli do të kryesojnë listën në Qarkun e Shkodrës. "U bëjmë thirrje të gjithë shqiptarëve që aspirojnë për demokracinë, të bashkohen me ne për të rindërtuar një parti të demokratëve të mbështetur në parimet demokratike, ku njerëzit të jenë të barabartë dhe të vlerësohen për punën e tyre", u shpreh Meksi, gjatë ceremonisë së prezantimit nga "Poli i Lirisë". Deri dje, anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së dhe sot kandidat për deputet nën siglën e "Polit të Lirisë", Meksi thumboi qartë edhe drejtimin aktual të Partisë Demokratike si tregues të mungesës së demokracisë dhe meritokracisë në këtë forcë. Kreu i PDK-së, Nard Ndoka, dhe ai i LZHK-së, Dashamir Shehi, kanë ftuar të gjithë të djathtët e vërtetë t‘i bashkohen "Polit të Lirisë". "Sot, Partia Demokratike është në koalicion me Xhuvelin dhe Gërdecin. Realisht e djathta është te ‘Poli i Lirisë‘", u shpreh Ndoka. Pas ish-pronarëve, komunitetit rom, intelektualëve si Apollon Baçe, e Gilman Bakalli, në "Polin e Lirisë" rreshtohet edhe ish-kryeministri Aleksandër Meksi, i cili u ka bërë thirrje të gjithë demokratëve të vërtetë t‘i bashkohen këtij grupimi politik.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›