E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një britanike për zgjedhjet shqiptare

Britanikja Audrey Glover do të drejtojë misionin vëzhgues të ODIHR-it për zgjedhjet e 28 qershorit në Shqipëri. Sot pritet që të mbërrijë në Tiranë një pjesë e mirë e atyre që cilësohen vëzhguesit afatgjatë. Ata do të udhëtojnë në Shqipëri për të ndjekur përgatitjet për zgjedhjet parlamentare deri në ditën e votimit. Moment kur do të mbështeten edhe nga kontingjenti tjetër i vëzhguesve të ODIHR-it. Glover rezulton të ketë një karrierë të gjatë dhe në vitet 1994-1997 ka mbajtur detyrën e shefes së zyrës së ODIHR-it. Më pak se dy muaj para zgjedhjeve parlamentare, ODIHR-i ka zgjedhur shefen e misionit të saj për monitorimin e zgjedhjeve në Shqipëri. Audrey Glover është një avokate e të drejtave të njeriut dhe në vitet ‘94-‘97 ka drejtuar zyrën e ODIHR-it. Kjo kohë përkon me zgjedhjet problematike të mbajtura në Shqipëri. Më parë, ajo ka mbajtur detyrën e përfaqësueses britanike në Komisionin Evropian dhe Gjykatën e të Drejtave të Njeriut. Nga viti 1998 deri në vitin 2003 ajo ka drejtuar delegacionin britanik në Komisionin për të Drejtat e Njeriut në Kombet e Bashkuara. Glover ka drejtuar misionet e vëzhgimit të zgjedhjeve në Bjellorusi gjatë vitit 2004, në Kazakistan gjatë vitit 2005, në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë në vitin 2006 dhe në Ukrainë gjatë vitit 2007. Ajo ka punuar në Bagdad si këshilltare për të drejtat e njeriut pranë autoritetit të përkohshëm të Irakut dhe Ministrisë irakiane për të Drejtat e Njeriut në vitet 2004, 2005 dhe 2006. Zyra për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) është pjesë e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe që lidhet me dimensionin human të sigurisë. Teksa ka mbërritur më parë pjesa logjistike e misionit, sot do arrijnë disa prej vëzhguesve afatgjatë. Pak para ditës së votimit, do të "zbarkojë" edhe kontingjenti më i madh i vëzhguesve, ata që do të ndjekin vetëm procesin deri në shpalljen e rezultatit. Sipas raportit të nevojave të ODIHR-it, publikuar pak ditë më parë, zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit do të monitorohen nga 430 vëzhgues të kësaj organizate. Bashkërisht pritet që organizatat vendore të angazhojnë 2500 vëzhgues vendas, që do të mbështeten nga USAID. Delegacioni i raportimit të nevojave të OSBE/ODIHR-it, që vizitoi Shqipërinë në datat 16-19 mars 2009 publikoi konkluzionet për procesin elektoral në vendin tonë. Skuadra e ODIHR-it do të ketë 30 vëzhgues afatgjatë, të cilët do të lëvizin në Shqipëri për të parë përgatitjen e zgjedhjeve dhe 400 vëzhguesit e dytë që do monitorojnë vetëm ditën e votimit dhe numërimin e votave. Në raportin që publikoi ODIHR pak ditë më parë, konstatonte se Kodi i ri Zgjedhor mund të ishte një mundësi që në zgjedhjet e ardhshme të plotësoheshin standardet ndërkombëtare për zgjedhje demokratike. Por, thuhej në dokument, kjo mundësi mund të realizohet vetëm nëse përgatitjet për infrastrukturën dhe administrimin e zgjedhjeve do të bëhen brenda kohës së duhur.

Audrey Glover

- Drejtuese e ODIHR në vitet ‘94-‘97

- Përfaqësuesja britanike në KE

- Shefe e delegacionit britanik në UN

- Shefe e misioneve në: Bjellorusi,

Kazakistan, Maqedoni, Ukrainë



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›