E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: “Vendimi i BE, apeli më i mirë për bashkëpunim me opozitën”

Autori i Lajmit: Redaksia
Kryeministri Sali Berisha ka përshëndetur pranimin e kërkesës së Shqipërisë nga ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian. Në një konferencë të posaçme për shtyp, Kryeministri pohoi se procesi i kërkesës së Shqipërisë vjen si pasojë e vlerësimit të procesit zgjedhor nga ndërkombëtarët. “Ky vendim historik u mor nga zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Reformat e ndërmarra të qeverisë dhe zgjedhjet e ndershme, ishin faktorët që bënë të mundur ardhjen e kësaj dite historike për vendin tonë”, - tha ai, ndërsa i ka bërë përsëri thirrje opozitës për bashkëpunim, me qëllimin e vetëm, përparimin e vendit. “Ftoj opozitën për të punuar së bashku, për çdo shqiptar, për kombin dhe vendin. Të ndërmarrim bashkë reformat më të thella për qytetarët shqiptarë, pa dallime politike, ku 96% e të cilëve janë pro anëtarësimit të Shqipërisë në BE”, - deklaroi kryeministri Berisha. I pyetur nëse mazhoranca ka një zgjidhje për zhbllokimin e ngërçit politik në kohën kur bojkoti dhe protestat e opozitës vazhdojnë, kreu i Qeverisë konsideroi se vendimi i sotëm i ministrave të Jashtëm të BE për pranimin e kërkesës për anëtarësimin e Shqipërisë është apeli më i mirë për bashkëpunim me opozitën. “Për çdo qytetar të këtij vendi, për ata që kanë integrimin në Evropë si interesin më madhor, vendimi i sotëm është apeli më i fuqishëm për bashkëpunim dhe për të çuar përpara këtë proces në interes të qytetarëve shqiptarë”, - theksoi Berisha, ndërsa tha se Qeveria mbetet e hapur për bashkëpunim me opozitën. Për sa i përket protestës së madhe të socialisteve më 20 nëntor, Kryeministri nënvizoi se detyra e tij e vetme është të sigurojë mbarëvajtjen e saj. Kryeministri i vendit ka falënderuar në mënyrë të veçantë ministrat e Jashtëm të BE, duke garantuar edhe një herë përmbushjen e detyrimeve që vijnë nga pranimi i kërkesës së Shqipërisë. “Unë shfrytëzoj këtë moment solemn për të garantuar ministrat e Jashtëm të BE, se qeveria ime do të përmbushë të gjitha detyrimet që rrjedhin nga ky pranim. Ky vendim historik vjen pas një tjetër vendimi historik, atij të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO”, - u shpreh Berisha.

Ky lajm është publikuar: 17/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›