E Diel, 1 Nëntor 2026

U divorcua nga gruaja, bën terror në fshat

 

PERMET - I dehuri terrorizon fshatin me automatik, ndërsa plagos me thikë dy bashkëfshatarë të tij. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Gurrë të rrethit Përmet kur Hektor Jonuzi, 26 vjeç, në gjendje krejtësisht të dehur ka goditur me thikë shtetasin A.C. 21 vjeç, si dhe një kalimtar të rastit, S.Rustemin, 26 vjeç. Njëri prej personave të plagosur ishte djali i xhaxhait të bashkëshortes së ndarë të Jonuzit dhe goditja ka ardhur pikërisht se i riu u bë barrikadë që i armatosuri të mos hynte në banesën e prindërve të ish-gruas, pasi gjendja e tij ishte tepër e ngarkuar. Apelit me fjalë, 26-vjeçari iu përgjigj me një goditje thikë e pasuar më pas me po të njëjtin veprim në dëm të një kalimtari të rastit. Ky veprim eliminoi një tragjedi të mundshme dhe viktimat mund të ishin të shumtë, pasi në shtëpinë e prindërve të ish-bashkëshortes së Jonuzit, ndodheshin pesë persona, të cilët mundet të binin pre e agresionit. Sapo ka plagosur dy të rinjtë, Jonuzi është larguar në drejtim të banesës së vet dhe menjëherë ka rrëmbyer kallashnikovin dhe me të ka nisur të qëllojë pa pushim në ajër. Terrori i krijuar mbrëmjen e së hënës ka bërë që policia e Përmetit të niset menjëherë drejt fshatit Gurrë. Efektivave të saj u janë bashkuar dhe forca shtesë nga Gjirokastra. Kur ka parë uniformat blu, Jonuzi ka mundur të fshehë automatikun në afërsi të banesës. Policia ka rrethuar vendin përreth banesës së tij dhe për të shmangur viktimat e tjera ka evakuuar personat që jetonin pranë. Në momentin kur nuk janë dëgjuar të shtëna policia ka ndërhyrë, duke bllokuar 26-vjeçarin. Kontrolli në të gjithë zonën ka zbuluar automatikun dhe thikën me të cilën u qëlluan dy personat.                          p.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›