E Diel, 1 Nëntor 2026

Moisiu: “Pas marrëveshjes për kufirin fshihen qëllime të caktuara”

Autori i Lajmit: Redaksia
Ish-Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, i është kthyer përsëri diskutimit për marrëveshjen e kufirit mes Shqipërisë dhe Greqisë. Ai ka pohuar dje se kjo marrëveshje tregon mangësi profesionale, ndërkohë që mënyra e hartimit të kësaj marrëveshjeje tregon amulli pas së cilës fshihet një qëllim i caktuar. “Unë këtë problem, gjatë kohës që kam qenë në krye të shtetit dhe më parë kur kam pasur funksione të tjera, nuk kam dëgjuar të ketë pasur pengesë në këtë drejtim. Me thënë të drejtën, u befasova, nuk di të ketë pasur mangësi në këtë drejtim. Mënyra si është hartuar e si është bërë marrëveshja tregon që ka një amulli pas të cilës fshihet ndonjë qëllim i caktuar. Nuk dua të hedh hipoteza”, - theksoi Moisiu. Duke pranuar ekzistencën e hartave, Moisiu thekson se kjo çështje duhet shqyrtuar nga e para nga një grup ekspertësh. “Rruga e kësaj pune do të ishte që pikërisht këto probleme që kanë dalë në radhë të parë duhet transparencë përpara gjithë popullit shqiptar. Këtu ka diçka që nuk shkon, që duhet korrigjuar. Unë them që Parlamenti shqiptar, qeveria shqiptare duhet ta shikojnë këtë çështje me shumë kujdes, të mbledhin një komision ekspertësh dhe të pavarur dhe të ulen ta studiojnë problemin”, - u shpreh ish- presidenti. Marrëveshja detare me Greqinë u firmos mes dy qeverive në prill të këtij viti. Më tej ajo u miratua nga Komisioni parlamentar i Ligjeve më 25 shtator, ndërsa pritej të kalonte për miratim në Kuvend më 19 tetor. Pas protestave të shumta dhe presionit mediatik, Kuvendi u detyrua të shtyjë ratifikimin.

Ky lajm është publikuar: 17/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›