Berisha: Vendorët abuzim me pronat
• Kryeministri Sali Berisha ka kritikuar dje zyrat rajonale të Agjencisë së Kthimit të Pronave, të cilat u kanë kthyer ish-pronarëve objekte të pakthyeshme si shkolla, institucione arsimore apo lulishte të qyteteve.Adi Shkëmbi Duke folur në mbledhjen e djeshme të qeverisë, Kryeministri u shpreh se në ligjin për kthimin dhe kompensimin e pronave duhen bërë amendime për të përcaktuar si dy procese të ndara njohjen e pronës dhe kompensimin e saj. Sipas kreut të qeverisë, nëse plani i rregullimit të qytetit e përcakton këtë zonë si vend të gjelbër apo arsimor, ai nuk mund t’i kompensohet pronarit. “Me pronat kemi një problem shumë serioz. Së pari, në kundërshtim flagrant me ligjin janë kthyer sipërfaqe dhe objekte të pakthyeshme, shkolla dhe institucione të sistemit arsimor dhe lulishtet e qyteteve dhe kjo faktikisht po krijon vështirësi shumë të mëdha. Në amendimet që duhet të bëjmë duhet të qartësojmë se është tjetër gjë njohja e pronës dhe tjetër gjë kompensimi i saj. Të kthehet lulishtja e qytetit apo të bllokohet kjo nuk mund të ndodhë, derisa Plani i Rregullimit të qytetit të mos e përcaktojë atë ndryshe. Në rast se plani i rregullimit të qytetit e përcakton atë zonë ndërtimi, automatikisht pronari i saj fiton të drejtën e pronësisë së truallit”, u shpreh Kryeministri në mbledhjen e djeshme. Duke sjellë në mbledhjen e qeverisë një shqetësim të kryebashkiakëve gjatë takimit të pak ditëve më parë mes pushtetit lokal dhe pushtetit qendror, Kryeministri vlerësoi faktin që komisionet rajonale i kanë njohur pronat ish-pronarëve, por nuk duhet t’i kompensonin sipas kryeministrit, deri në një vendim nga plani rregullues i qyteteve. “Asgjë pa leje nuk mund të vendoset, sepse më janë ankuar kryetarët e bashkive se u kanë kthyer komisionet sipërfaqet e gjelbërta dhe tani ato bllokohen. Komisioni ua ka njohur të drejtën e pronësisë dhe ka vepruar drejt, por kjo sipërfaqe nuk mund të bllokohet, sepse është sipërfaqe e gjelbër. Në rast se Plani i Rregullimit të qytetit e njeh sipërfaqe të gjelbër, ne duhet ta kompensojmë këtë. Duhet t`u japim fund këtyre çështjeve që vështirësojnë realisht funksionimin e qyteteve”, tha më tej Kryeministri. Në të njëjtën kohë kreu i qeverisë ka kërkuar ndëshkim të ashpër për të gjithë abuzuesit që kanë shkelur ligjin, duke kompensuar fizikisht objekte të pakthyeshme. Madje, Kryeministri ka akuzuar, ndonëse pa emra konkretë, zyrtarët rajonalë të agjencive për korrupsion lidhur me këtë proces. “Duhet të mbahet një qëndrim i prerë, duhet të ndëshkohen ata që kanë shkelur ligjin. Problemi është se këta që shkelin ligjin nuk e bëjnë për asgjë tjetër përveç interesit të xhepit. Ata paguhen. Ndaj të shkojnë për ndjekje atje ku duhet të zbatohet ligji”, tha Berisha. Në të njëjtën kohë kryeministri u shpreh i gatshëm për të rishikuar Kodin Civil për sa i përket veprës së vjedhjes. Sipas Berishës, e vjedhura duhet të konsiderohet si e tillë edhe pas 10 brezash, duke sjellë para ministrave një paralelizëm me legjislacionin amerikan. “Në këtë legjislacion prona merret në çdo moment që zbulohet se është e vjedhur. Kjo është shumë e domosdoshme. Shpresoj që të bindim edhe opozitën për një nismë të tillë, sepse është një ligj që kërkon 84 vota për miratim”, theksoi Kryeministri Berisha.AKKP shfuqizoi 80 vendime të paligjshmeDrejtori i AKKP-së, Besnik Maho, bëri të ditur pak ditë më parë se në zonat e Vlorës, Tiranës dhe Durrësit janë shfuqizuar 80 vendime të marra ndër vite. Pas inspektimesh të realizuara nga kjo agjenci, në komisionin vendor të qytetit të Vlorës dhe të qyteteve të tjera është konkluduar se një pjesë e vendimeve janë marrë pa u bazuar në ligj. Drejtori i AKKP-së, Besnik Maho, në një prononcim për mediat theksoi se, “vendimet erdhën pas shqyrtimit të realizuar nga ana e agjencisë, në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Vlorës”. “Janë dhënë mbi 80 vendime, raste, që janë prekur vendime të hershme, që kanë pasur abuzime apo keqpërdorim të detyrës nga punonjësit e mëparshëm”, theksoi Maho. Pas analizimit të vendimeve të kryera nga ekspertët e zyrës juridike pranë AKKP-së, është konkluduar se vendimet e marra janë cilësuar si abuzive.