E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si mund të shmanget korrupsioni në shëndetësi

• Shefqet DELIALLISIKëto ditë opinioni u njoh me raportin e Transparency International dhe faktin që shëndetësia paraqitej si më e korruptuara, fakt ky që ka shkaktuar debate në mjediset shëndetësore dhe më gjerë. Sigurisht që ky raport duhet analizuar me kujdes, por edhe duhet vlerësuar ashtu siç është në të vërtetë, një përmbledhje subjektive opinionesh dhe nuk duhet abuzuar me të. Duhet të kihet parasysh se korrupsioni përmbledh si ryshfetin, ashtu dhe abuzimin me postin. Dhe në sistemin shëndetësor bëhet fjalë vetëm për ryshfetin, më saktë bakshishin, që gjithsesi nuk është forma më e rëndë e korrupsionit. Sidoqoftë është fakt që në shërbimin shëndetësor ka gjëra që nuk shkojnë dhe ndikojnë në ndjesinë e publikut të gjerë. Çfarë mund të bëhet për përmirësimin e gjendjes?  Para se të përpiqemi t’i përgjigjemi pyetjeve, le të shikojmë se nga sigurohen fondet për shërbimin shëndetësor. Dihet se tek ne shpenzimeve totale për shërbimin shëndetësor sigurohen: 40% nga fondet publike dhe 60% nga xhepat e pacientëve e qytetarëve.Para pak ditësh lexova një material të OBSH, në të cilin ndër të tjera shkruhej:“Veç shumë problemeve që kanë sistemet shëndetësore në vendet në zhvillim, një problem të rëndësishëm përbëjnë dhe pagat shumë të ulëta të mjekëve dhe infermierëve, duke u bërë shkak për largimin e tyre nga vendi, apo punësimi i tyre në punë të tjera, që paguhen shumë më mirë”.Po pse nuk janë larguar mjekët nga vendi, ashtu si kolegët e tyre në vendet në zhvillim? Pse nuk u larguan mjekët nga Shqipëria, siç bënë me mijëra specialistë të fushave të tjera?  Po i referohem një konstatimi që çdo kush e ka hasur në SHBA. Kushdo që ka qenë në SHBA, sigurisht që ka qenë në restorant dhe s’ka se si mos i ketë bërë përshtypje bakshishi i detyrueshëm për kamerierët. Në “billin” (faturën) që të bie kamerieri, krahas çmimit të asortimenteve të konsumuara ka dhe një shtesë sa 15% të shumës, që është bakshishi i detyruar për kamerierin. Pse ky bakshish i detyruar, pyeta kur pagova për herë të parë?Shpjegimi: pronarët e restoranteve i paguajnë pak kamerierët. Ekziston një marrëveshje e heshtur mes tyre dhe klientëve për plotësimin e pagës së kamerierëve nëpërmjet bakshishit të detyruar, tashmë të ligjëruar.Pikërisht në restorantin amerikan tre vjet më parë bëra analogjinë ndërmjet pagës së kamerierëve amerikanë dhe pagës së mjekëve shqiptarë. Sigurisht krahasimi ishte vulgar, por në mënyrë të ngjashme, pas rënies së komunizmit, heshturazi, shteti i varfër postkomunist, i pamundur për t’i dhënë mjekëve pagën që meritonin, pranoi heshturazi plotësimin e pagës së tyre nga vetë pacientët, por pa e ligjëruar atë. Sigurisht ishte dhe inteligjenca e pacientëve shqiptarë që kuptuan rëndësinë e problemit dhe e pranuan këtë zgjidhje. Tashmë shumë prej tyre, emigrantë në vendet perëndimore, kishin provuar koston e lartë të shërbimit shëndetësor, kishin parë edhe nivelin e shpërblimit të mjekëve atje, dhe kjo ndikoi në pranimin dhe zbatimin e kësaj “marrëveshjeje”. Ishte pikërisht kjo “marrëveshje” që mbajti mjekët në Shqipëri dhe që bëri që truri i mjekësisë të mos largohej nga vendi. Dhe kjo është jo pak e rëndësishme. Por shumë vite kanë kaluar qysh atëherë, shumë deformime kanë ndodhur në këtë sistem, që në fakt duhej të ishte i përkohshëm. Tashmë ka ardhur koha, madje ka kaluar, që ky bakshish të legalizohet (siç po legalizohen fjala vjen ndërtimet pa leje). Ka ardhur koha, madje ka kaluar, që kjo sasi e konsiderueshme monetare, që del nga xhepat e pacientëve të kanalizohet në rrugë të ligjshme, për të ruajtur si dinjitetin e mjekëve, ashtu dhe atë të pacientëve.   Duke përdorur terma mjekësore, duhet të qartësojmë se korrupsioni është simptoma e sëmundjes dhe jo vetë sëmundja. Sëmundja e vërtetë është mungesa, ose më saktë ngadalësia në reformimin e sistemit. Dhe duke përdorur përsëri terminologjinë mjekësore, për kurimin e sëmundjeve ka dy lloj mjekimesh, ai simptomatik, ku mjeku përpiqet të luftojë simptomat, por jo shkakun, mjekim ky që nuk e shëron, por lehtëson përkohësisht gjendjen dhe mjekimin etiologjik, që lufton shkakun, zhduk sëmundjen dhe shëron pacientin. Në rastin tonë, duke luftuar korrupsionin, që është vetëm simptomë e sëmundjes, me “ilaçin” dënim i disa mjekëve apo infermierëve, sëmundja nuk shërohet, ajo veçse përmirësohet për pak kohë. E kundërta ndodh me mjekimin etiologjik, që lufton shkakun dhe shëron sëmundjen, në rastin tonë ky “ilaç” është reforma. Dhe për reformimin e sistemit duhet të tregohemi racionalë. Ka disa reforma që duhen bërë menjëherë, pasi janë plotësisht të mundshme, më lehtë të realizueshme dhe që ndikojnë drejtpërsëdrejti në përmirësimin e cilësisë së shërbimit shëndetësor, sigurisht dhe mbi ndjesinë e publikut ndaj këtij shërbimi, të cilin, me ose pa të drejtë, ai e konsideron si më të korruptuarin. Sipas mendimit tim, duhet urgjentisht të privatizohen të gjitha ato që janë të mundshme, sigurisht duke ruajtur thelbin publik të shërbimit shëndetësor. Fjala vjen, urgjentisht duhet të privatizohet hoteleria e spitaleve, për të cilën ka shumë vite që flitet, të paktën që nga viti 1994 dhe ende asgjë konkrete. Kjo do të përmirësonte dukshëm cilësinë e shërbimit dhe do të zgjidhte një pjesë të rëndësishme të problemit. Është fakt i pamohueshëm që spitalet shpenzojnë shuma të konsiderueshme për medikamente, është fakt i pamohueshëm që spitalet shpenzojnë shuma të konsiderueshme për laboratorët dhe ekzaminimet e ndryshme. Por është gjithashtu fakt i pamohueshëm që pacientët shpesh i drejtohen farmacive private, ku ndryshe nga farmacitë e spitaleve, nuk mungon asgjë, është fakt i pamohueshëm gjithashtu se pacientët shpesh i drejtohen laboratorëve privatë, ku në fakt punojnë po ato njerëz që punojnë dhe në spitale, por ku kryhen të gjitha ekzaminimet, edhe ato që nuk kryhen në spitale.Pra, edhe spitalet, edhe pacientët paguajnë, shpenzimet bëhen nga të dy palët. Atëherë me të drejtë lind pyetja pse të mos privatizohen këto shërbime? Të jeni të sigurt se magjia e ligjeve të tregut do t’i zgjidhë problemet dhe të gjitha palët do të mbesin të kënaqura. Në rast se këto reforma bëhen, do të lehtësohej së tepërmi menaxhimi i spitaleve dhe do të rritej ndjeshëm cilësia e shërbimit ndaj pacientëve. Sigurisht që këto privatizime duhen bërë duke futur në lojë sistemin e sigurimeve shëndetësore. Nga ana tjetër, hap pas hapi, duhet të vazhdojë të zgjidhet kontradikta ndërmjet pagës së ulët të personelit shëndetësor dhe pagesave të konsiderueshme që njerëzit aktualisht bëjnë për shëndetin e tyre. Shërbim shëndetësor falas as ka pasur, as ka, dhe asnjëherë nuk do të ketë. Tashmë diçka ka filluar të lëvizë, si fjala vjen përcaktimi i kostos së shërbimeve të ndryshme, administrimi i të ardhurave dytësore, por që kërkon përmirësim dhe zhdërvjellim në përdorimin e tyre, rritje të herë pas hershme të pagave etj. Idetë janë shumë të rëndësishme, por sigurisht më e rëndësishme është vënia në jetë e tyre. *Autori është Drejtor i Spitalit Rajonal Elbasan

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›