Kjo dyshe e çuditshme
• Skënder MinxhoziKur në mars të vitit 1999 i pari firmoste në Paris marrëveshjen prej 82 faqesh që do t’i hapte rrugën bombardimeve të NATO-s në Jugosllavi, i dyti në Tiranë deklaronte për çudinë e të gjithëve se “kush firmos Rambujenë, është tradhtar” Nga ajo kohë e vështirë ka rrjedhur shumë ujë nën ura, kanë rënë qeveri dhe janë bërë zgjedhje, kanë hipur në fron rreshtime politike të caktuara dhe kanë rënë nga vakti të tjera. E megjithatë, sot i gjejmë të dy përkrah, në një duet të pazakontë, që mesa duket do të na shoqërojë drejt njërit prej akteve më madhorë të historisë tonë kombëtare – shpalljen e pavarësisë së Kosovës.Njëra ndër tezat më të pranuara këtej dhe andej kufirit në dekadën e fundit, është se Sali Berisha dhe Hashim Thaçi nuk kanë shumë afrimitet dhe vlerësim për njëri-tjetrin. Jo vetëm aleanca dhe miqësia tradicionale me Rugovën, jo vetëm fakti që politikisht përfaqësonin dy grupime të ndryshme, jo vetëm rrethanat në të cilat ka nisur dhe është konsumuar kjo njohje – të gjitha këto nuk janë të mjaftueshme për të shpjeguar përse Berisha dhe ish-lideri i UÇK-së nuk kanë vendosur kurrë deri më sot një raport politik e njerëzor normal. Një ftohtësi e pashprehur, një evitim i qëllimshëm në lëvizje, takime dhe deklarime të ndërsjella publike, ka bërë që rregullisht Thaçi të shihet nga e djathta shqiptare si ‘mik i socialistëve’, kurse PD e Berisha të konsiderohen nga PDK e Kosovës si partnerë politikë me të cilët të bashkon vetëm rastësia e siglës. Hashim Thaçi e njeh shumë mirë Shqipërinë dhe Tiranën. Rezident për shumë kohë në vendin tonë në vitet ‘90, politikani i ri kosovar ka qenë herët i pozicionuar kundër dyshes historike Berisha-Rugova, duke e parë me dyshim nacionalizmin pragmatist të të parit dhe pasivitetin e të dytit. Nga ana e tij, Sali Berisha nuk e ka fshehur kurrë simpatinë për LDK, edhe kur UÇK, e më vonë PDK, hynë në skenën politike të Kosovës si kundërshtarët e Lidhjes Demokratike. Kjo përplasje e tërthortë dhe kjo mungesë simpatie e mbuluar keq nga problematikat e ndryshme në të cilat kalonte Tirana dhe Prishtina, kanë bërë që kurrë deri më sot këta dy politikanë të mos instalojnë një klimë dialogu e bashkëpunimi mes tyre. Nëse ishte normale ta shihje Thaçin përkrah Nanos, Majkos apo Metës në momente të ndryshme, ishte e pamundur ta gjeje në raporte të ngjashme me Berishën.E pra, duket se fati u ka luajtur një rreng të vogël dy liderëve në fjalë. Historia ka pësuar në harkun e viteve të fundit një kthesë që i ka çuar pashmangshmërisht drejt njëri-tjetrit dy armiqtë e dikurshëm në distancë. Vdekja e Rugovës rreth dy vjet më parë dhe së fundi fitorja bindëse e PDK në zgjedhjet e nëntorit në Kosovë, bënë të qartë, ndër të tjera, se Berisha e Thaçi do të duhej të dialogonin, diskutonin dhe bashkëpunonin jo më tërthorazi apo me mediatorë në mes, por direkt dhe për çështje të një rëndësie unikale. Mund të thuhet se Thaçi do të donte që sot në Tiranë të qeveriste një tjetër maxhorancë. Mund të thuhet gjithashtu edhe se Berisha do të donte që flamurin e pavarësisë në Prishtinë ta ngrinte mundësisht dora e Rugovës, apo më mirë, e Bukoshit. Problemi është se as dëshira e parë, as edhe e dyta, nuk janë të realizueshme. Shqiptarët, këtej dhe andej kufirit, kanë votuar që në këtë takim me historinë, shiritin ta presin dy politikanë që, në fakt, ka shumë pak të përbashkëta mes tyre. Në një pamje të parë mund të themi pa shumë mëdyshje se lotaria politike vuri përkrah njëri-tjetrit një personazh në rënie, me një yll në ngjitje.Në përballjen e para pak ditëve në televizion, pamë një Berishë dhe një Thaçi disi të frenuar nga prania e përbashkët para kamerave. Solemniteti i momentit bëri që ky detaj të binte pak në sy. Gjithsesi kjo vitrinë mediatike serviri për herë të parë një dyshe të çuditshme, që tashmë duket se arrin t’i maskojë mirë mëritë e së shkuarës. E kjo duket më se normale, sepse ajo që ndodh me Kosovën në këto momente, e bën që të duket edhe më meskin e të vogël këtë sherr “shqiptar”, në kuptimin e keq të termit.