Berisha: Vepra, alternativa ime. Boshi, ajo e Ramës
Pas përfundimit të vizitës në Maqedoni, për 100-vjetorin e Kongresit të Manastirit, Kryeministri Sali Berisha ka vijuar ditën e diel turin e tij “Shqipëria po ndryshon” në rrethin e Pogradecit. Kryeministri ka inauguruar përfundimin e disa veprave publike, por njëkohësisht ka bërë krahasimin e alternativës së tij me atë të opozitës së drejtuar nga Edi Rama, të cilën ai e përkufizoi si “një alternativë tjetër që shëtit nëpër Shqipëri, alternativa e llafeve, e sharjeve, e shpifjeve, trillimeve”. Berisha tha se alternativa e tij është ajo e ndërtimit, veprave, ndërsa sipas tij, alternativa e opozitës së drejtuar nga Rama, ka si alternativë shpifjen dhe fjalët bosh. “Vendi ka një opozitë, por një opozitë e cila nga mëngjesi në darkë tregon me gisht dhe nuk tregon asgjë. Akuzon dhe vetëm shpif, megjithatë mençuria është mençuri dhe kam bindjen e thellë se mes alternativës së veprave dhe fjalëve boshe, ju do të zgjidhni alternativën e veprave. Kokën, secilit ia masni me vepra konkrete dhe jo me fjalë. Me lugën bosh kemi kaluar 50 vjet dhe nuk na duhet më kjo lugë, ne na duhet të lëmë pas atë trashëgimi të hidhur që kemi, të vendosim standarde evropiane. Unë kam besim tek ju se, mes alternativës së veprave, të rrugëve, të shkollave, të kanalizimeve, të pensioneve, ujësjellësve dhe alternativës së llafeve boshe, ju do të zgjidhni të parën, sepse ajo është alternativa e halleve dhe derteve tuaja, është alternativa e jetës suaj të përditshme, alternativa e fëmijëve tuaj, e të ardhmes suaj”, - tha Berisha. Ai më tej akuzoi për korrupsion kryetarin e Bashkisë së Tiranës. “Kjo komunë ka tre kopshte për fëmijë. Le të vijë dhe të marrë shembull ish-kryetari i Bashkisë së Tiranës. Në një lagje me 30 mijë banorë në Tiranë, nuk janë më shumë se 2 kopshte, sepse ai ka një problem me kopshtet dhe me shkollat, ka probleme dhe me përqindëshin e truallit, sepse ato nuk i japin 15 për qind, siç japin pallatet”, - akuzoi Kryeministri, i cili shtoi se në zgjedhjet e ardhshme qeveria do të bëjë “çdo përpjekje që zgjedhjet të jenë zgjedhjet më të mira, më të ndershme në historinë e këtij vendi”. Akuzat e kreut të mazhorancës vazhduan më tej për kreun e Bashkisë së Tiranës, madje ai ftoi banorët e Komunës Dardhë, që të pyesin kryetarin e opozitës, në rast se ai vjen në këtë komunë. “Unë ju ftoj juve që kur Kryetari i PS-së të vijë tek ju, priteni mirë dhe pyeteni; zoti kryetari i Bashkisë së Tiranës, sa nxënës ka në klasat e kryeqytetit? Janë nga 40-50 nxënës. Pse ndodh kjo? Nuk ka para të ndërtojë shkolla të reja? Jo! Paratë qeveria i ka dhënë, janë siguruar kredi nga qeveria 22 milionë euro. Por ai nuk ka truall. Ky është problemi. Është turp që të detyrohemi të paguajmë apo të marrim me qira kafene që t’i bëjmë klasa për nxënësit në kryeqytet”, - akuzoi kreu i qeverisë. Gjatë qëndrimit në Komunën Dardhë të Pogradecit, Berisha ka bërë edhe premtimet e qeverisë së tij. “Vitin e ardhshëm, data 1 maj shënon dyfishimin e pensioneve në fshat. Kjo përbën stacionin e parë, pasi stacioni i dytë do të jetë objektivi se nuk do të ketë asnjë pension në fshat nën 100 dollarë dhe më pas, barazimin e pensioneve të fshatit me ato të qytetit. Në tre vjet, ne kemi investuar 1.4 miliard lekë në vepra dhe objekte në të katër anët e vendit. Unë ju garantoj se mandatin tjetër këto investime do të dyfishohen”, - deklaroi ai, duke shtuar se banorët e Mokrës do të kenë një rrugë të re. “Gjatë vitit që vjen, për këtë zonë do të ndodhë një zhvillim madhor, ndërtimi i autostradës Qafë Plloç-Qukës, që është një nga veprat më të rëndësishme të vendit. Kjo vepër shkurton distancën Korçë-Tiranë në mënyrë të ndjeshme. Por kjo vepër zbulon bukuritë mahnitëse të Mokrës, sikundër urbanizon këtë krahinë, e cila ka nevojë jetike për një urbanizim sa më të mirë”, - premtoi kreu i qeverisë.