Berisha: Vepra e Azem Hajdarit do të nderohet gjithmonë
Kryeministri Berisha nderoi dje kujtimin e dëshmorit të demokracisë, Azem Hajdari, në ditën e 10-vjetorit të ekzekutimit të tij. Pas vizitës në familjen Hajdari, ku ishte i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, zonja Liri Berisha, Kryeministri vendosi një buqetë me lule në memorialin e Azem Hajdarit dhe Besim Çerës. Duke vlerësuar lart veprën dhe kontributin e Azem Hajdarit, Kryeministri u shpreh se në këtë ditë shqiptarët nderojnë kujtimin e tribunit të lirisë, politikanit dhe personalitetit, që me guximin e tij të jashtëzakonshëm dhe me trimërinë legjendë, do të bënte të mundur në vitin 1990 që shqiptarët të njihnin, të takonin dhe të preknin lirinë. Gjatë homazheve, Kryeministri Berisha tha se “në 10 -vjetorin e ekzekutimit të tij, në këtë vend, ne nderojmë veprën dhe kujtimin e tribunit të lirisë, të djaloshit, politikanit dhe personalitetit, që me guximin e tij të jashtëzakonshëm dhe me trimërinë legjendë, do të bënte të mundur në vitin 1990 që shqiptarët të njihnin, të takonin dhe të prekin lirinë”. Duke kujtuar kohën kur Azem Hajdari u përfshi në politikë, Berisha u shpreh se “në vitin 1990 Shqipëria e shqiptarët erdhën pas diktaturës më të egër që Evropa ka njohur në historinë e saj, pas një rendi të vërtetë skllavërues; erdhën nga koha kur gjenerata të tëra ishin lindur, rritur dhe përjetonin vetëm shtypje. Pikërisht në vitin1990, Azem Hajdari shfaqet me guximin dhe trimërinë e tij në krye të lëvizjes studentore, lëvizjes më emancipuese në historinë tonë kombëtare, lëvizjes që me votën e lirë do të shembte diktaturën më të egër që Evropa kishte njohur, lëvizjes që do të ripërtërinte dhe do të rivendostë doktrinën e rilindasve tanë, doktrinën e vokacionit perëndimor të kombit dhe do të shpallte si të parë, çështjen kombëtare”. Sipas tij, në këtë kontekst, shqiptarët do të nderojnë Azem Hajdarin dhe veprën e tij, për sa kohë ata do të nderojnë lirinë, frymën, shpirtin dhe vlerat e saj”.