E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përfshirja e grave në vendimmarrje, Topalli nis turin “Gratë për gratë”

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka konkretizuar dje një tur të cilin e ka quajtur “Gratë për gratë”. Përfshirja e grave në vendimmarrje, si dhe rritjen e rolit të saj në shoqëri, janë pikësynimet e Kryetares së Kuvendit Topalli e cila nisi dje këtë tur nga qyteti i Elbasanit. Në këtë takim të parë, mbi 700 gra elbasanase të të gjitha profesioneve, si mësuese, shkrimtare, mjeke, artiste, biznesmene e pedagoge morën pjesë në aktivitetin “Gratë për gratë. “Jam sot këtu, në Elbasan, për disa arsye: Së pari, dua t’ju uroj të gjitha nënave që nisin fëmijët e tyre në shkollë të hënën: ‘Paçin suksese dhe qofshi nëna të lumtura!’, sigurisht dhe mësueseve: ‘Suksese në punën tuaj!’ Së dyti, është një arsye madhore, që nuk është vetëm për gratë, por është për të gjithë vendin tonë. Në hapje të sesionit të ri parlamentar, u thashë kolegëve të mi se këto që po jetojmë, janë kohë historike. Ndoshta jo të gjithë e kanë përcjellë saktë se çfarë unë doja të thosha me këtë. Historia jonë është një histori mbijetese. Është hera e parë që ne po ndërtojmë një histori zhvillimi; është hera e parë që ne marrim mesazhe të jashtëzakonshme. Unë e analizoj shpeshherë mesazhin që përcjell për ne shqiptarët marrja e ftesës për NATO”, - deklaroi Topalli. Në këtë takim folën edhe gra të njohura në jetën elbasanase. Biznesmenia Blerta Tola, e cila është administratorja e një shkolle një shkollë private në Elbasan, tha se sipërmarrja për një grua shqiptare mbetet ende sfidë, pasi dhe tradita ofron pak, në fushën e sipërmarrjes së gruas. Shkrimtarja dhe poetja e njohur me origjinë nga qyteti i Elbasanit , Flutura Açka, zgjodhi një poezi të sajën për të përçuar mesazhin e mosharresës. “Mesazhi im iu drejtohet grave, simbol i sakrificës dhe dashurisë njerëzore. Por është dhe një apel për të gjitha ne, që kurrë nuk duhet të harrojmë të kaluarën e hidhur të shumë prej atyre që vuajtën për lirinë dhe të tashmen, që ne gëzojmë sot”, - tha poetja Açka.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›