E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policët do të deklarojnë pasurinë



Uniformat blu do të detyrohen të deklarojnë pasurinë. Një fakt i tillë është konfirmuar dje nga drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi i cili ishte i pranishëm në Komisionin e Sigurisë në Kuvend. Komisioni debatoi dje në lidhje me projektligjin e ri të qeverisë për Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm. Gjatë diskutimeve ishte i ftuar drejtori i Policisë Prençi, drejtori i SHKB-së, nëndrejtori i SHISH-it si dhe përfaqësues nga Prokuroria dhe organizatat ndërkombëtare të PAMECA-s dhe ICITAP-it. Drejtori Pre]nçi iu përgjigj pyetjeve të deputetëve si dhe konfirmoi faktin se do të ketë një deklarim të pasurive të uniformave blu. Gjithsesi, Prençi theksoi se një gjithë e tillë mund të diskutohet më tej për të zgjedhur edhe institucionin se ku do të bëhen këto deklarime. Një hap i tillë shihet në përmirësim të imazhit të policisë, por edhe në rritjen e efikasitetit të punës së Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm. Deputetët e opozitës, Petro Koçi si dhe Pirro Lutaj, kundërshtuan nismën ligjore të qeverisë për SHKB-në. Sipas këtij projektligji, SHKB-ja është më e pavarur në punën e saj si dhe ushtron kontrolle më të gjëra në punën e policisë. Gjatë diskutimeve nen për nen, deputetët miratuan gjysmën e projektligjit, duke vendosur që diskutimin ta zhvendosin ditën e hënë. Deputetët pranuan edhe sugjerimet e SHISH-it. Sipas nëndrejtorit të Shërbimit Informativ, në projektligj duhet të shihen disa nene. Ai u shpreh se sipas ligjit të funksionimit të SHISH-it, ky institucion informon vetëm titullarin, që në këtë rast është ministri i Brendshëm, si dhe SHISH-i nuk mund të informojë për të gjitha situatat SHKB-në, pasi sipas ligjit mjaft informacione janë top-sekret. Nëndrejtori i SHISH-it tha se SHKB-ja do të informohet për çdo situatë kur ka të bëjë me punën e policisë. Njëkohësisht, organizata ndërkombëtare ICITAP, nëpërmjet një letre për deputetët, theksonte se gjatë vitit të kaluar një grup pune me përfaqësues të MB-së dhe Policisë së Shtetit, ICITAP, OSBE dhe EURALIUS kanë punuar për të përgatitur projektligjin që është marrë në shqyrtim aktualisht. ICITAP-i ka dhënë asistencë teknike dhe udhëzim operacional në krijimin e këtij ligji ku OSBE-ja dhe EURALIUS-i dhanë si këndvështrimin ligjor, ashtu edhe atë evropian në zhvillimin e tij. “Prokuroria e Përgjithshme dhe Shërbimi Informativ Shtetëror u ftuan të merrnin pjesë, por asnjëra nga këto institucione nuk morën pjesë. Ky projektligj bën që SHKB-ja të përballet me sfidat aktuale për sigurimin e llogaridhënies së Policisë së Shtetit. Ky ligj nuk krijon një situatë ku SHKB-ja ka nën kontroll Policinë e Shtetit. ICITAP-i nuk do të mbështeste këtë ligj, nëse do të besonim se ky do të çonte në kontrollin e Policisë së Shtetit ose në krijimin e një agjencie tjetër informative. Qëllimi i këtij ligji është i njëjtë me atë të ligjit të vjetër”, - thuhej në letrën e INCITAP-it. Sipas projektligjit të qeverisë, SHKB-ja është një institucion i administratës publike dhe strukturë e veçantë e Ministrisë së Brendshme, në varësi të drejtpërdrejtë të ministrit. Misioni i këtij shërbimi është t'i garantojë komunitetit një shërbim policor të përgjegjshëm, demokratik dhe transparent, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe standardet e kërkuara. Objekti i veprimtarisë së SHKB-së përfshin parandalimin, zbulimin, dokumentimin dhe hetimin paraprak të veprave penale, të kryera nga punonjësit e Policisë së Shtetit, pavarësisht nga funksioni dhe grada. SHKB-ja u kërkon punonjësve të Policisë së Shtetit deklarata për veprimtaritë e jashtme, dypunësimin, investimet, pasuritë dhe dhuratat ose privilegjet, nga të cilat mund të lindë një konflikt interesash, për shkak të funksioneve të tyre, si nëpunës publikë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›