E Shtunë, 31 Tetor 2026

Petro Koçi; Do marrim simbolet dhe festën e PS-së

Çdo socialist që lëvizjen më të fundit të Petro Koçit e ka parë me indiferentizëm, duket se e ka pasur gabim. Shumë shpejt, me regjistrimin e partisë në gjykatë, e majta do të ketë dy Parti Socialiste, që do të kenë të njëjtën festë, simbole shumë të ngjashme në flamur, deri edhe shkronjat kapitale. Petro Koçi, drejtuesi i kësaj partie, zbardhi dje disa detaje me të cilat do të identifikohet partia e tij. Festa e krijimit të saj nuk do të jetë dita e regjistrimit në gjykatë, por 12 qershori i vitit 1991, kur u krijua PSSH-ja. Pra, sipas Koçit, partia e tij është fiks 17 vjeçe, ndërsa për PS-në që drejton Edi Rama, Koçi i jep një moshë që shkon deri në një vjeç e gjysmë. Duke konsideruar se idealet e socialistëve të vërtetë janë baza e partisë që drejton, Koçi nënvizoi se ato nuk reflektohen më nga PS-ja e Ramës. “Festa jonë e formimit, pavarësisht nga data e vendimmarrjes për ta dërguar në gjykatë do të jetë 12 qershori ‘91, dhe unë mendoj se kjo nuk është festa apo përvjetori i formimit të partisë së Edi Ramës, sepse në fakt, themelimi i partisë së tij është 15 marsi 2007”, - theksoi drejtuesi i partisë së re. 15 marsi i 2007-ës është dita e mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të PS-së, e cila vendosi reformimin e plotë të partisë, zhvillimin e zgjedhjeve me parimin “një anëtar, një votë”, si dhe zgjedhjen anëtarëve të rinj të AK-së, kongresit, kryesisë si dhe sekretariatit. Edhe më parë Koçi dhe shumë deputetë të tjerë kërkuan anulimin e vendimeve të kësaj mbledhjeje sepse ishin antistatutore. Qëndrimi i atëhershëm i Koçit mbështetej në faktin se në bazë të ligjit themeltar të partisë, zgjedhjet duhet të zhvilloheshin në tetor të 2007-ës, por duke pasur para sfidën e zgjedhjes së Presidentit dhe për të pasur një pozicion të sigurt, Rama i parapriu në kohë kësaj çështjeje. Në bazë të zhvillimit të dy kongreseve të njëpasnjëshme dhe zgjedhjeve në bazë, në krye dolën njerëzit më të afërt të Ramës, ndërsa shumë figura të rëndësishme socialiste e panë veten jashtë saj.

Përveç këtij detaji, në skenë rikthehen edhe dy trëndafilat në flamurin e partisë, simbol që nuk ekziston më në flamurin aktual të PS-së. Ai do të jetë me dy trëndafilat, siç ka qenë qysh në krijimin e tij, edhe pse më vonë, kur në krye të kësaj partie ishte Fatos Nano, ai ndryshoi duke vendosur një dorë të mbyllur grusht me një trëndafil. “Simboli ynë do të jetë simboli i socialistëve në shumë vite, simboli me dy trëndafilat”, - shtoi Koçi. Një tjetër rikthim është ai i kartave të hershme të anëtarësimit në Partinë Socialiste, të cilat filluan të ndryshoheshin pak muaj pasi Rama mori në dorë frenat e partisë. “Ne do të përdorim kartat e anëtarësisë që janë përdorur deri në momentin që Edi Rama shkatërroi dokumentacionin e mëparshëm, dhe sigurisht që anëtarët e partisë sonë që kanë këtë kartë identiteti politik, do të pranohen automatikisht në radhët e Partisë sonë Socialiste dhe ndryshimet pastaj do të bëhen në të ardhmen për sa i përket dokumentacionit”, - u shpreh Koçi. Pavarësisht këtyre detajeve, shkronjat kapitale të partisë së re mbete ende enigmë. Edhe vetë Edi Rama duket se i ka hapur rrugë kësaj nisme një vit më parë që partia të marrë emrin PSSH. Në prag të zgjedhjeve vendore të 2007-ës, Rama ndryshoi shkronjat e partisë në Gjykatë nga PSSH në PS. Si e tillë, partia e re ka mundësinë ligjore që të rikthejë PSSH-në e vjetër. Sipas drejtuesit Koçi, partia e re synon të dalë e katërta në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›