E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI: Zbardhja e Gërdecit, hap para drejt integrimit

Lëvizja Socialiste për Integrim kërkon nga drejtësia shqiptare zbardhjen e tragjedisë së Gërdecit përmes transparencës, ndërsa nënvizon ndaljen e presionit të qeverisë ndaj gjyqësorit, që do të jenë përcaktues në ecurinë e integrimit të vendit në NATO dhe në BE. “Kjo çështje ka kohë që i ka kaluar kufijtë e vendit dhe është tashmë treguesi më i rëndësishëm për moralin e kësaj qeverie, gatishmërinë e munguar të saj për të luftuar ilegjitimitetin dhe korrupsionin, për aftësinë e sistemit tonë demokratik, të pushteteve të pavarura të tij, veçanërisht gjyqësorit, për të funksionuar të lirë nga kapja e mazhorancës”, - tha kryetari i KDK-së, Edmond Haxhinasto. Sipas tij, shqetësimi i madh i shprehur në Senatin e SHBA-së, që është aleati dhe avokati më aktiv për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, për domosdoshmërinë e transparencës së hetimeve, pavarësisht nga pasojat që do të ketë kjo për qeverinë, është tregues i qartë për dyshimet e mëdha që ata kanë për mënyrën si po zhvillohet këto hetime dhe për presionin e vazhdueshëm të qeverisë kundër procesit të hetimit dhe transparencës së kësaj çështjeje, “Ne shprehim me forcë qëndrimin tonë se qeveria e Sali Berishës duhet të heqë menjëherë dorë nga papërgjegjshmëria e saj për të lënë në mjegull hetimet për Gërdecin, si dhe përpjekjet e mbrapshta për të dobësuar funksionet e organit të hetimit dhe akuzës, gjoja nën pretekstin e reformës në gjyqësor”, - shtoi Haxhinasto.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›