E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: “Vizat, 200 policë të objekteve transferim në kufi”

Autori i Lajmit: Redaksia

Qeveria ka vendosur të ndryshojë funksionin e 200 forcave policore nga ruajtja e objekteve të rëndësisë së veçantë tek përfshirja e tyre në disa nga drejtoritë më të rëndësishme të Policisë së Shtetit. “Vazhdon reforma e policisë. Këtë herë jo me shkurtime, por hiqen nga objektet 200 inspektorë dhe punonjës të Policisë së Shtetit dhe dërgohen që të gjithë në Policinë e kufirit, sepse procesit të heqjes së vizave, duhet ti përgjigjemi me shkallë më të lartë të përgjegjësisë në sektorin e migracionit, të luftës kundër drogës. Në përputhje me obligimet e reja madhore që dalin nga procesi i heqjes së vizave, të gjithë sektorët që kanë të bëjnë me objektivat dhe kërkesat e udhërrëfyesit duhet të konsolidohen gjithnjë e më shumë”, u shpreh Kryeministri. Në këtë kontekst, Kryeministri theksoi se është bërë e qartë se sistemet tona janë ndër më modernet, duke informuar se një tjetër gjysmë milion euro është për fuqizimin e serverëve dhe të të gjitha potencialeve të këtyre sistemeve. Kryeministri Sali Berisha tha se kjo lëvizje bëhet për të forcuar strukturat në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut të drogës, si kërkesa që vijnë nga liberalizimi i vizave. Qeveria i ka akorduar Policisë së Shtetit edhe një shume prej 500 mijë eurosh, të cilat do të përdoren për të fuqizuar sistemet TIMS dhe MEMEX, edhe këto pjesë e kërkesave tashmë të plotësuara të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, por për të cilat kërkohet financim i mëtejshëm për shfrytëzimin e plotë të potencialit të tyre.

Ky lajm është publikuar: 29/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›