Berisha: Vizat brenda vitit, nuk dua të jemi në paketë me Bosnjën
Kryeministri Sali Berisha garanton se shqiptarët do të lëvizin lirshëm në hapësirën Shengen brenda këtij viti. Deklarata e Kryeministrit u bë nga Brukseli ku ndodhej në samitin e Partive Popullore Evropiane. Berisha tha se nga takimet e tij, mori garanci se procesi i liberalizimit të vizave do të finalizohet. "Dua të theksoj se marrja e vendimit, siç dihet, është gjëja më kryesore, ndërsa zbatimi i vendimit është në tagrin e tyre, kanë teknikalitetet. Unë jam optimist dhe i sigurt se vendimi do të merret brenda vitit të parë të mandatit tonë të dytë, ashtu sikurse është premtuar", tha Berisha. Kreu i Qeverisë tha më tej se zhvilloi takime me liderët kryesorë të BE-së si Kancelaren Merkel, Kryeministrin Berluskoni, të cilët i informoi mbi zhvillimet kryesore në Shqipëri. "I bëra një përmbledhje më të zgjeruar për zhvillimet në Shqipëri, por në këto takime vizat ishin pika kryesore", tha kreu i Qeverisë. Duke u ndalur më tej në procesin e liberalizimit të vizave, Kryeministri Berisha deklaroi se kishte kërkuar që Shqipëria të vlerësohej veçmas, dhe jo në paketë me vendet e tjera në Ballkanit Perëndimor. I pyetur nga mediat nëse Shqipëria është pjesë e së njëjtës paketë me Bosnjë-Hercegovinën, Kryeministri u përgjigj: "Absolutisht, nuk pranoj asnjë lloj lidhje me asnjë vend tjetër. Uroj që edhe Bosnja ta marrë, por e kam theksuar se nuk dua vlerësim në paketë. Unë dua vlerësim në performancë dhe tregues". Kreu i Qeverisë tha më tej se Ekzekutivi do të nisë një fushatë informimi për qytetarët shqiptarë për procesin e liberalizimit të vizave. "Ne do të fillojmë edhe një fushatë të gjerë ndërgjegjësimi për qytetarët shqiptare, në mënyrë që të mos të ndodhin ato që ndodhën me qytetarët e vendeve të tjera. Pra, të mos ketë asnjë lloj keqkuptimi dhe t'u shpjegohet që këtu nuk mund të bëhet fjalë të kërkosh azil dhe se ajo është vetëm një praktikë shumë e dëmshme",-tha Kryeministri Berisha.