Kuvendi miraton varrezat greke
BLEDAR HOTI
Parlamenti voton me 66 vota pro ngritjes së varrezave për ushtarët grekë në Këlcyrë të Përmetit dhe në Bularat të Gjirokastrës. Në votimin e djeshëm munguan deputetët e opozitës, si të Partisë Socialiste, ashtu edhe kreu i Partisë së Bashkimit për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule. Jo e gjithë maxhoranca ka qenë bashkuar në votimin për këtë ligj "Për ratifikimin e marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Greqisë, për kërkimin, zhvarrimin, identifikimin dhe varrimin e ushtarëve grekë, të rënë në Shqipëri, gjatë luftës greko-italiane, të viteve 1940-1941, dhe për ndërtimin e vendprehjes për ta, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë". Në votimin në tërësi të këtij propozimi të Qeverisë, pesë deputetë votuan kundër ndërsa një abstenoi. Në radhët e PD-së votuan kundër Ardian Kollozi, deputet i Vlorës dhe Bedri Hoxha, deputet i Dibrës. Ndërsa demokrati tjetër Lefter Maliqi, deputet i qarkut të Beratit abstenoi me votën e tij. Dy deputetët e Partisë për Drejtësi dhe Unitet, që përfaqësojnë komunitetin shqiptar çam me deklaratat e tyre kundërshtuan këtë marrëveshje dhe propozuan që Qeveria ta tërheqë një gjë të tillë. "PDU nuk mund të bëhet pjesë e asnjë votimi, i cili kërkon të promovojë pseudo të kaluara. Qeveria greke akoma nuk ka njohur gjenocidin biblik ndaj popullsisë së pafajshme çame. Në këtë situatë surreale, përkundrejt 300 mijë shqiptarëve çam, është e patolerueshme për ne, çdo lloj votimi, për çdo çështje greke", tha deputeti Tahiri. Ai shtoi gjithashtu se "për krizën që po kalon shteti grek ka pasur oferta të ndryshme shit - blerjeje ishujsh apo trojesh, por përfitoj nga ky rast për t'i bërë të ditur këtij shteti, që çamëria ka zot, ka pronar të ligjshëm e askush të mos guxojë të luajë me ne e me trojet e të parëve tanë". I vetmi deputet që foli pro kësaj marrëveshje ishte demokrati, Tritan Shehu. "Ne sot me miratimin e kësaj marrëveshje ndërtojmë një urë të re miqësie, forcojmë këtë urë me Greqinë e popullin grek, forcojmë lidhjet njerëzore, bashkëpunimin me popujt në tërësi. Njerëzit u vranë duke luftuar kundër fashizmit nazizmit, në koalicionin e përgjithshëm antifashist, duke aspiruar për një botë të re, duke aspiruar për këtë periudhë ku ne jemi sot", tha Shehu. Ndërsa deputeti Tahiri e kundërshtoi fjalën e tij, duke shtuar se "Shehu nuk tha asnjë fjalë për gjenocidin grek ndaj popullsisë çame, duket se ke një farmaci që furnizohet me ilaçe greke". Marrëveshja e firmosur nga të dyja palët vendos ngritjen e dy varrezave, një në Këlcyrë, 4 km përpara këtij qyteti, si dhe një në fshatin Bularat të Gjirokastrës. Hapësira që do të marrin këto dy varreza është rreth 10 mijë metra katrorë. Ndërkohë që të gjitha procedurat e kërkimit, zhvarrimit, identifikimit dhe varrimit të eshtrave do të mbulohen nga pala greke.
Idrizi: Dhuratë për çlirimin e Greqisë
Kreu i Partisë për Drejtësi dhe Unitet, Shpëtim Idrizi tha se në këtë moment dy janë rrugët e partisë që përfaqëson për këtë marrëveshje "ose shtyrje e saj në një kohë tjetër, kur pala greke të dëftejë reciprocitetin minimal ndaj nesh, ose votim kundra". "Marrëveshja në fjalë, pavarësisht tekstit, është një veprim që i ngjau në fakt legalizimit të ndërtimeve pa leje. Varreza e Këlcyrës ishte ngritur dhe thjesht po legalizohet. ", tha Idrizi. Sipas tij, kjo marrëveshje votohet pikërisht sot më 25 mars si dhuratë ndaj Greqisë. "Nuk e kam fjalën se ajo papritur e papandehur është zgjedhur të vijë në Parlament fiks sot, ditën e çlirimit të Greqisë nga pushtimi otoman, 25 marsin e 1821. Ky akt mendoj që dëshiron t'i bëjë Greqisë së sotme dhuratë miratimin e një marrëveshje si kjo!", theksoi Idrizi.
votimi
66 kundër, pesë kundër, një abstenim
Votat kundër
Shpëtim Idrizi PDU
Dashamir Tahiri PDU
Bedri Hoxha PD
Adrian Kollozi PD
Lefter Koka LSI
Abstenim
Lefter Maliqi PD
Munguan deputetët
e opozitës