Uidhers: Keqardhje që kriza nuk u zgjidh, kompromis në Parlament
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Xhon Uidhers lëshoi dje një deklaratë për shtyp mbi situatën politike, ku kërkoi gjetjen e pikave të përbashkëta mes palëve. Në deklaratën zyrtare nga ambasada e SHBA, Uidhers shprehu keqardhjen e mos arritjes së një kompromisi politik. "Kemi ndjekur me kujdes diskutimet në Parlament mbi situatën politike shqiptare. Shprehim keqardhjen që deri më sot nuk është arritur asnjë zgjidhje për krizën e tanishme" thuhet në deklaratën zyrtare. Ambasadori Uidhers nxit më tej palët që të punojnë brenda Kuvendit për arritjen e një kompromisi. Uidhers thekson se palët duhet të gjejnë pikët e përbashkëta. "Nxisim të gjitha palët të vazhdojnë të punojnë brenda Parlamentit për të zgjidhur dallimet që kanë me anë të dialogut dhe kompromisit. Toni i diskutimeve duhet të përqendrohet mbi gjetjen e pikave të përbashkëta dhe jo mbi arritjet partiake", thuhet më tej në deklaratën e ambasadorit amerikan. Reagimi i Ambasadës së SHBA-ve në Tiranë erdhi pas deklaratës së kreut të OSBE-së Robert Bosch. Ambasadori Uidhers shprehet me tej se seanca maratonë prej 2 ditësh në Kuvend ishte e padobishme. "Ndajmë shqetësimet e kolegëve tanë të OSBE-së dhe BE-së që sesioni plenar i 18-19 marsit ishte i padobishëm. Veprimet e njëanshme, nga cilado palë, nuk mund as të zgjidhin ngërçin aktual dhe as të çojnë përpara agjendën euro-atlantike të vendit", mbyllet deklarata zyrtare e SHBA-ve.