Bushati: Propozimi, me rëndësi historike
Propozimi i Komisionit Europian për heqjen e vizave është historik për Shqipërinë. Konstatimet e palëve duket se janë bashkuar dje, teksa njësoj si Kryeministri, edhe deputeti socialist, Ditmir Bushati, në emër të selisë rozë, ka përshëndetur propozimin që i hap rrugë lëvizjes së lirë. “PS e konsideron propozimin e Komisionit Europian për heqjen e regjimit të vizave të një rëndësie historike, pasi hyrja në fuqi e këtij propozimi do ta bëjë edhe më konkrete perspektivën europiane dhe aspiratën shekullore të shqiptarëve për të lëvizur të lirë në hapësirën europiane”, deklaroi Bushati. Ai ka ecur më tej, duke vlerësuar se vonesat që sollën vendin tonë të fundit në listë së bashku me Bosnjë-Hercegovinën për sa i përket heqjes së vizave janë shkaktuar nga paaftësia e qeverisë aktuale. Përballë një konstatimi të gjerë që e sheh lënien jashtë të Bosnjës dhe Shqipërisë si pasojë e disa interesave të tjera, opozita ka vënë përgjegjësinë e Tiranës zyrtare për sa kohë që procesi është vetëm teknik. Ai ka përsëritur thirrjen për kompromis dhe transparencë kushtetuese, që sipas tij do t’i jepnin fund një krize që mund të penalizojë vendin edhe për sa i përket liberalizimit të vizave.
#