E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Vlora brenda katër viteve qyteti me portin më të madh në rajon

Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, njëkohësisht dhe kryetari i Partisë Demokratike, ishte i pranishëm në hapjen e fushatës elektorale për zgjedhjet e 28 qershorit në qytetin e Vlorës, nën moton "Shqipëria po ndryshon". Berisha, gjatë fjalës së tij bëri një rezyme të plotë të punës së bërë nga qeveria e tij gjatë këtyre katër viteve qeverisje. Sipas kryeministrit Berisha, Vlora është qyteti që do të përfitojë më shumë gjatë katër viteve të ardhshme në shumë sektorë të ekonomisë, punësimit dhe turizmit. Sipas liderit të PD-së Berisha, Vlora është bërë një nga qytetet që ka numrin më të madh të turistëve në rajon dhe se në katër vitet e ardhshme Vlora do të pasurohet akoma dhe më tepë, sepse do të afrohen edhe më shumë investitorë të huaj dhe vendas që do ta bëjnë Vlorën një qytet të metropolitan. Jemi mbledhur në këtë shesh, pasi në katër vite me reforma, me përkushtim ja dolëm të lartësojmë si asnjë herë tjetër emrin e Vlorës, dhe emrin e Shqipërisë. Ne vijmë sot në këtë shesh me premtimet e mbajtura, si vend anëtar i NATO-s dhe një vend që ka aplikuar për tu bërë anëtar i BE,  mblidhemi pasi bëmë realitet rritjen e pensioneve në qytet  70-80 për qind,  dhe dy herë më të larta në fshat, dyfishuam pagat për arsimtarët, mjekët, infermierët dhe punonjësit e tjerë,  vijmë pasi me zero tolerance i shpallëm luftë krimit dhe arritëm të vlerësohemi nga institucionet ndërkombëtare si vend kampion në luftën ndaj korrupsionit, u shpreh Berisha para vlonjatëve. Vetëm në Vlorë, tha kryeministri Berisha, janë investuar gjatë 4 viteve të fundit mbi 500 milion euro, duke ndërtuar 300 km autostrada, rrugë nacionale dhe dytësore, qindra shkolla, qendra shëndetësore dhe ujësjellës. Ai ju bëri thirrje qytetarëve të Vlorës, të votojnë për Partinë Demokratike dhe koalicionin e djathtë, sepse sipas tij në mandatin e dytë, Vlora do të shndërrohet në një nga metropolet më të fuqishme të Shqipërisë e të Rajonit, do të jetë një kantier i madh i Ballkanit, do të ketë portin më të madh të Rajonit, një nga zonat më të bukura turistike. Sipas kryeministrit Berisha, Porti dhe Rruga e Kombit, janë të lidhura me njëra tjetrën si shpirti me trupin, që do të sjellin një zhvillim të madh, do të afrojnë më tepër Vlorën-Tiranën dhe Prishtinën. Ndër të tjera kryeministri Berisha ju premtoi vlonjatëve se në katër vitet e ardhshme ata do të lëvizin të lirë në të gjitha shtetet Evropiane. Vlora dhe qytetarët e saj brenda katër viteve do të jenë një qytet evropian, do të jenë qytetarë evropianë. Ne do të lëvizim të gjithë së bashku të lirë nëpër të gjithë Evropën si evropianë të vërtetë, sepse ne aty e kemi vendin që na takon, në Bashkimin Evropian, përfundoi fjalimin e tij Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›