Ceka: Do të ndihmojmë biznesin
Vazhdojnë turin e tyre elektoral përfaqësuesit e koalicionit Aleanca për ndryshim në zona të ndryshme të vendit. Kryetari i Partisë Lëvizja e Legalitetit Ekrem Spahia zhvilloi disa takime në rrethin e Tropojës. Gjatë fjalës së tij përshëndetëse Spahia u ndal në investimet e kryera gjatë këtyre 4 vjetëve si dhe në prezantimin e disa prej prioriteteve të qeverisë për 4-vjeçarin e ardhshëm.
Sipas Spahisë deri më sot janë bërë shumë investime në infrastrukturë dhe në bujqësi. Dhe se prioritet i pozitës gjatë katër viteve të ardhshme do të jetë vazhdimi i këtyre reformave. Kreu i Aleancës Demokratike Neritan Ceka u ndal në një takim me banorë dhe sipërmarrës të Qarkut të Elbasanit. Gjatë bashkëbisedimit me biznesmenë të fshatrave Konjat dhe Dushk. Ceka tha se Aleanca Demokratike ka një program të qartë dhe të detajuar për zhvillimin e biznesit në zonat rurale. Sipas Cekës në katër vitet e ardhshme do të mbështet biznesi vendas duke i ulur akoma dhe më tej taksat. Gjithashtu sipas Cekës në vitet e ardhshme do të ndiqet një rrugë tjetër e ndihmës që qeveria do ti japë biznesit të ri. Sipas tij të gjitha bizneset e reja që do të ngrihen nuk do të paguajnë tatim gjatë fillimit të tyre, dhe se më vonë ky tatim do të fillojë të ngrihet lehtësisht duke kapur vlerën reale që qeveria do të vendosë për bizneset e ndryshme.