Olldashi: Anëtarësimi i të rinjve lushnjarë, ogur i mirë para zgjedhjeve
Ministri i Transportit dhe Punëve Publike Sokol Olldashi, njëkohësisht dhe kandidat për deputet në qarkun e Fierit, ka zhvilluar një takim në Çermë të Lushnjës me banorët e këtij fshati. Ogur i mirë që konfirmon fitoren e mazhorancës qeverisëse edhe për një mandat tjetër në zgjedhjet parlamentare të 28 Qershorit është anëtarësimin i 80 të rinjve në radhët e Partisë Demokratike, theksoi Olldashi.
Ministri Olldashi mirëpriti vendimin e 80 të rinjve si një vendim të përgjegjshëm, që kontribuon në marrjen e përgjegjësive nga të rinjtë për t'u bërë pjesë e ndryshimit dhe zhvillimit të vendit. "Partia Demokratike ka nevojë për të gjithë ju, por dhe ju do të gjeni tek PD idetë, dëshirat, idealet, vizionin tuaj për të ardhmen, do të gjeni veten, rrugën për të ecur përpara. Ne jemi në fushatë elektorale dhe asnjë deputet nuk mund të marrë mesazh më të qartë dhe më të mirë se sa ky i juaji për fitoren në zgjedhjet e 28 qershorit. Zgjerimi i Partisë me të rinj, me njerëz që kanë vizion dhe marrin përsipër ndryshimin, konfirmon fitoren e PD edhe për një mandat të dytë qeverisës", u tha Olldashi të rinjve. Sipas tij, fitorja e mandatit të dytë duhet për vazhdimin e këtij hapi të madh që ka bërë Shqipëria në këto 4-vjet me ndryshime sinjifikative në të gjithë sektorët e jetës. Më pas Olldashi u ndau të rinjve kartat e antarsimit në Partinë Demokratike.