E Shtunë, 31 Tetor 2026

Doda: Gjoba, KKRT-ja zbatoi ligjin



Kryetarja e Këshillit Kombëtar të Radiove dhe Televizioneve, Mesila Doda, në një bisedë për gazetën shprehet se gjoba e vendosur ndaj televizionit “New24” është e bazuar në ligj. Ajo shprehet se televizioni në fjalë u paralajmëruar që të mos transmetonte reklamë politike, në një kohë kur ligji nuk e lejon një gjë të tillë në kohë jo fushate elektorale. Doda shprehet më tej se reagimi ka ardhur për të shantazhuar KKRT-në, në një kohë kur ky institucion është duke bërë një reformë të rëndësishme. Ajo i cilëson deklaratat e deputetëve të majtë si deklarata të pastra politike për të sulmuar KKRT-në.

Zonja Doda, KKRT mori një vendim për të gjobitur televizionin “News 24”. Pse u vendos kjo masë dhe cila ishte arsyeja?

Siç dihet për të gjithë publikun e gjerë, gjoba konsistonte si masë disiplinore ndaj televizionit në fjalë, pasi ishte shkelur një kërkesë e ligjit. Dua të them se gjoba është rrjedhojë e disa përpjekjeve të KKRT-së për të bërë të mundur që televizioni në fjalë të mos vazhdonte shkeljen ligjore. Pra, ne çuam një paralajmërim, kontaktuam që në fillim që t’i bënim të kuptonin se nuk ishte fjala për një moment të veçantë, por për një procedurë ligjore që ne e kishim ndjekur disa herë. Siç e kam përsëritur shpesh këto ditë, ne kishim ndjekur të njëjtin standard si me spotin e Partisë Socialiste, ashtu edhe me atë të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe nuk kishte asnjë arsye që një organizëm tjetër me një reklamë tjetër politike të vazhdonte në përpjekjen e saj. Sigurisht që pati reagime dhe pyetja që më është bërë më shpesh këto ditë është se pse Kryeministri vazhdoi me spotin e tij. Dua t’ju rikujtoj, edhe të gjithë publikut, se Këshilli i Ministrave në të gjithë botën ka fushata të caktuara publicitare që i cilëson jetike për vendin. Nuk mund të themi antikorrupsioni është diçka me pak rëndësi dhe që nuk ka rëndësi jetike për vendin. Me pak fjalë, dua të sqaroj se momenti që është debatuar më shumë këto ditë, dhe që politika është marrë shumë, konsiston thjesht në vendosjen e ligjit, në sigurinë e plotë të medias për pavarësinë e këtij institucioni. Çfarëdo shantazhi, çfarëdo kërcënimi që bëhet nga mediat, dhe kjo është bërë zakon, që sa herë që këshilli bën diçka që nuk u shkon përshtat mediave, ato kthehen dhe sulmojnë. Këshilli është enti rregullator i mediave. Autoriteti i këtij këshilli është i padiskutueshëm. Mediat duhet të respektojnë ligjin. Ky këshill ka dhënë më shumë hapësirë për mediat vizive që nga krijimi i tij. Këshilli do të vazhdojë në rrugën e tij për sigurimin e hapësirave mediatike, por do të kërkojë zbatimin e ligjit

Ky konflikt ka pasur edhe anën e tij politike, ku deputetët e majtë kanë reaguar dhe kanë sulmuar KKRT-në. Ata e kanë cilësuar si çështje politike këtë gjobë. Cili është qëndrimi juaj në këtë rast?

Në fakt si kryetare e KKRT-së, nuk më duhet të merrem me qëndrimet politike, pasi kryetari i KKRT-së qëndron mbi politikën përsa kohë qëndron në këtë pozicion. Normalisht nuk më takon të merrem me prononcimet e deputetëve, qoftë të majtë apo të djathtë. Por dua të them që nuk është hera e parë që vërej gjithë këtë histeri të deputetëve të majtë ndaj KKRT-së. E kam vërejtur këtë lloj mllefi, këtë lloj inati qysh në raportimet tona në Parlament. E kam vërejtur që kur KKRT ka ndërmarrë hapat e mëdhenj, që po bën në këtë treg, dhe me siguri u vjen keq, pasi kjo nuk u bë në kohën e qeverisjes së mazhorancës së majtë. Nuk gjej asnjë arsye tjetër, përveç atyre emocionale të deputetëve, të cilët në këto raste mund të kërkojnë të evidentohen kundër KKRT-së. Nga ana tjetër e gjitha kjo është absurde, pasi të gjithë këta deputetë, nuk patën asnjë reagim kur u ndalua spoti i Partisë Socialiste. Keni dëgjuar ndonjëherë ndonjë reagim? Këto ngrihen dhe sulmohet KKRT-ja për një OJF, sipas tyre, por që unë e theksoj se ishte politik. Mendoj se në këto momente deputetët e majtë kanë gjënë më të rëndësishme për t’u marrë, me probleme më të rëndësishme.

Rama: Berisha të mos shkelë rregullat e demokracisë

Kryetari i PS-së, Edi Rama, i bëri dje apel Kryeministrit të mos shkelë rregullat më elementare të demokracisë, duke vënë gjoba politika mbi mediat. “Dua t'i bëj sot një apel Kryeministrit Berisha për të korrigjuar pa humbur kohë gabimin trashanik të shkeljes së barazisë së subjekteve politike e shoqërore në hapësirën e mediave elektronike të vendit dhe për të hequr dorë nga presioni abuziv mbi ato media që në ushtrim të lirisë së tyre kushtetuese e ligjore transmetuan një spot kritik të një organizate shoqërore jofitimprurëse ndaj qeverisë”, - tha Rama, më tej kreu i PS-së tha se Berisha të mos e provokojë më tej opozitën, duke përdorur lekët e shqiptarëve për një fushatë elektorale të paligjshme, të njëanshme dhe kërcënuese ndaj lirisë së shprehjes e të informimit të publikut në mediat elektronike. “Dua t'i bëj sot apel Kryeministrit Berisha për të mos bërë as rolin e shurdhit ndaj kësaj kërkese legjitime të opozitës dhe as rolin e budallait në raport me ligjin e me vetë vendimet e qeverisë së tij, që e ndalojnë shprehimisht spotin propagandistik të prodhuar e të transmetuar me lekët e shqiptarëve për llogari të interesit politik e partiak të Sali Berishës”, - tha Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›