Blushi, kritika pushtetit vendor
Ish-ministri i Pushtetit Lokal dhe deputeti i Partisë Socialiste deklaroi dje se pushteti lokal ruan ende një burokraci të shumtë ndryshe nga reformat që ka implementuar pushteti qendror. Sipas Blushit, pushteti lokal nuk po arrin dot t’u shërbejë interesave të komunitetit. “Pushtetet lokale kanë pasur rritje të ulëta në tri apo katër vitet e fundit. Nuk arrijnë dot të bashkojnë interesat në palën qendrore apo lokale”, - deklaroi Blushi. Këtë deklaratë deputeti i PS-së e dha në një takim me të zgjedhurit lokalë në Tiranë. Në këtë takim ishte i pranishëm edhe ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, i cili vlerësoi bashkëpunimin fundit mes pushtetit lokal dhe qeverisë për sa i përket sistemit të adresave. Ministri Nishani bëri të ditur se për realizimin e këtij projekti janë kryer amendamente dhe hartuar akte të posaçme nënligjore, e po kështu janë miratuar vendime të Këshillit të Ministrave për specifikimet teknike për tabelat e adresave dhe urdhrave të Ministrisë së Brendshme për standarde unike të punës, si për hartat vektoriale dhe për regjistrimin e adresave. Ky proces, së bashku me vendosjen e tabelave përkatëse, përveç angazhimit, resurseve njerëzore e financiare kërkon edhe një supervizim korrekt e të vazhdueshëm nga Ministria e Brendshme dhe drejtuesit e njësive vendore. I kemi kapacitetet e implementimit të këtij procesi, që në fillim të vitit 2009 qytetari të konsultojë adresën e tij në sistem, i cili njëkohësisht do të verifikojë dhe pranojë aplikimin për letërnjoftimin elektronik”, - u shpreh ministri i Brendshëm, Nishani.