E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ftesa, Berisha në datën 8 tetor vizitë në Gjermani

Kryeministri Sali Berisha në datën 8 tetor është ftuar nga kancelarja gjermane, Angela Merkel, për të vizituar Gjermaninë. Në udhëtimin e tij drejt shtetit gjerman, Kryeministri i Shqipërisë do të ketë me vete një delegacion të gjerë me përfaqësues politikë dhe ekonomikë. Kjo për faktin se vizita atje konsiderohet si mjaft e rëndësishme për vijimësinë e bashkëpunimit të suksesshëm mes dy vendeve mike. Burime nga Kryeministria bëjnë të ditur se gjatë qëndrimit dyditor në Gjermani, përveç takimit me kancelaren Merkel, Kryeministri do të zhvillojë një sërë takimesh me autoritetet e larta të politikës gjermane, ku pritet dhe nënshkrimi i disa marrëveshjeve në fushën ekonomike mes dy vendeve. Para pak ditësh, Kryeministri Berisha priti një delegacion të fondacionit të mirënjohur gjerman “Konrad Adenauer”, i përfaqësuar nga drejtori për Evropën dhe Amerikën e Veriut, të këtij fondacioni, Dr. Thomas Kunze. Ky i fundit i bëri të ditur z. Berisha se po e presin me kënaqësi të veçantë vizitën e Kryeministrit Berisha në Gjermani, dhe takimin që ai do të ketë me kancelaren Merkel, si një ngjarje të rëndësishme që do t’i forcojë edhe më tej marrëdhëniet midis dy qeverive dhe të dyja vendeve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›