E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, Ndoka: Garanci, barazvlershmëria e votës

Demokristianët kërkojnë garanci për barazvlershmërinë e votës në zgjedhjet e reja, si dhe mbledhjen e tryezës së përbashkët të koalicionit të djathtë për çështjen e reformës zgjedhore. Sipas tij, është koha për të unifikuar qëndrimet e të gjithë spektrit të djathtë, pasi po afrojnë zgjedhjet e reja parlamentare. Në kushte të tilla, z. Ndoka gjykon si domosdoshmëri nisjen e konsultimeve për reformën e re elektorale. “Ne si pjesë e rëndësishme e kësaj mazhorance kërkojmë mbledhjen e menjëhershme të tryezës së kryetarëve të partive të koalicionit të djathtë, ku të diskutohet për reformën zgjedhore dhe të unifikohen qëndrimet e të gjitha partive pjesëmarrëse në këtë mazhorancë”, - u shpreh z. Ndoka. Por demokristianët kundërshtojnë konsultimin për reformën zgjedhore vetëm më PS-në. Kjo, - pohoi Ndoka, - është i papranueshme dhe në dëm, jo vetëm të standardeve të ligjit zgjedhor, por edhe të vetë mazhorancës. Gjithashtu PDK kërkon që në ligjin zgjedhor të përfshihet korrektimi kombëtar i votës, me argumentin se vetëm kështu do të garantohet barazvlershmëria e çdo vote, çka përbën një detyrim kushtetues. Nisur nga kjo, PDK është në pritje të reflektimit të menjëhershëm të PD-së si partia kryesore e mazhorancës. “PD-ja duhet të çlirohet nga kompleksi i opozitës, e cila prej muajsh është përfshirë nga konfliktet dhe përpjekjet për të eliminuar njëri-tjetrin, duke mbajtur peng reformën zgjedhore”, - deklaroi Narnd Ndoka. Sipas tij, PDK pret dhe shpreson që nëpërmjet unifikimit të qëndrimeve të partive të mazhorancës dhe bashkëpunimit konstruktiv me opozitën, të arrijmë të miratojmë ligjin zgjedhor, para mesit të tetorit, kur pritet të publikohet raporti i Bashkimin Evropian për Shqipërinë, duke treguar kështu angazhimin dhe seriozitetin tonë në përmbushjen e atyre standardeve që rrjedhin nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe marrja e ftesës për anëtarësim në NATO.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›