E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi, Alb-Shkenca: Mbështetje për kërkimin shkencor

Presidenti Bamir Topi premton mbështetje për shkencën dhe përfaqësuesit e saj në të gjitha fushat, të cilët nëpërmjet rolit të tyre japin një kontribut të ndjeshëm për plotësimin e standardeve integruese. Këtë siguri i dha dje z. Topi një përfaqësie të Institutit shkencor të pavarur mbarëkombëtar ALB-Shkenca, që synon të mbështesë zhvillimin dhe forcimin e shkencës shqiptare, të kërkimit shkencor dhe të sistemit të edukimit universitar dhe pasuniversitar. Pasi u uroi mirëseardhjen dhe u shprehu përgëzimet për mbajtjen nga ana e Institutit ALB-Shkenca të Takimit III vjetor në Tiranë, për ndërmarrjen dhe shpalosjen e përvojës e dijeve të tyre pikërisht në zemër të shtetit amë, Presidenti Topi nënvizoi rëndësinë e përgatitjes së kualifikuar shkencore dhe të kërkimit shkencor për përparimin e mëtejshëm të arsimit dhe shkencës në vendin tonë. Presidenti Topi theksoi nevojën e sinkronizimit të nismave dhe iniciativave të tilla, si edhe rolin e rëndësishëm që luan shteti me gjithë strukturat e tij, veçanërisht Ministria e Arsimit dhe Shkencës, për zhvillimin e shkencës dhe kërkimit shkencor në Shqipëri. Përfaqësia e Institutit ALB-Shkenca, përbëhet nga shkencëtarë të fushave të ndryshme, shumica e të cilëve jetojnë dhe punojnë jo vetëm në Shqipëri e Kosovë, por edhe në vende të ndryshme të botës si në SHBA, Gjermani, Austri, Spanjë, Holandë etj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›