Berisha: Vota për Ndokën është votë për Edi Ramën
Ridvan Dibra
Kryeministri Sali Berisha pranon se ka gabuar katër vjet më parë kur ka kërkuar votat për Nard Ndokën në Vaun e Dejës. Gjatë një takimi elektoral në këtë qytet, kreu i qeverisë ka kërkuar ndjesë për koalicionin me kreun e demokristianëve, madje ka shtuar se në 28 qershor çdo votë për Ndokën është votë për Edi Ramën. “Siç e dini, Sali Berisha, sa herë gabon, kërkon ndjesë. Nuk mund të mos ju kërkoj ndjesë, pasi katër vite më parë kam ardhur këtu dhe ju kam thënë se vota për Nard Ndokën, është votë për Sali Berishën. Ndërsa sot ju kërkoj ndjesë dhe ju them se vota për Nard Ndokën është votë për Edi Ramën. Sikundër, qenka e vërtetë vëllezër se, çdo gjë në këtë botë mund të bësh, por nuk i duhet dhënë besë, të pabesit”, u shpreh dje kryeministri Berisha. Ky deklarim i kreut të demokratëve për një nga ish-ministrat e kabinetit qeveritar, është i pari i tij në këtë fushatë elektorale, ndërkohë që Berisha nuk është shprehur asnjëherë për dy krerët e LZHK-së dhe Polit të Lirisë, Dashamir Shehi dhe Aleksandër Meksi. Gjatë një turi të ngjeshur takimesh në Cakran, Ballsh, Pukë e Fushë Arrëz, Berisha ka kërkuar votat edhe të socialistëve për një mandat të dytë, në të cilin sipas tij do të mundësohet heqja e regjimit të vizave dhe rritja e pagave dhe pensioneve. Në takimin e Cakranit, teksa bëri thirrje për të votuar ministrin e Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, kreu i PD-së, akuzoi ish-deputetin e kësaj zone, Blendi Klosi. “Ju votoni këtu, për një nga bijtë më të shquar tuajin, Enkelejd Alibeajn. Unë ju premtoj ju se të gjitha projektet e tij, projektet tuaja do të kthehen në realitet dhe do të kenë një avokat të shkëlqyer, në parlamentin shqiptar. Edhe ai tjetri ishte mallakastriot, por problemi i tij ishte se rrihej nëpër diskoteka. Ai e kishte këtë problem, e kishte këtë sëmundje, ndaj dhe ai e kuptoi që ju, ata bura që i rrahin nëpër diskoteka, nuk mund t’i votoni më”, theksoi Berisha. Sipas kreut të qeverisë zona e Mallakastrës duhet të jetë e para për sa i përket projektit për mbjelljen e rreth 20 milionë rrënjë ullinj, ndërkohë që i premtoi komunitetit të kësaj zone subvencionim për çdo rrënjë ulli të mbjellë. “Unë jam sot këtu, për t’u premtuar fermerëve të Mallakastrës se ky 4-vjeçar, që vjen mbi të gjitha do të jetë 4 vjeçari i tyre. Unë zotohem se do të subvencionojmë çdo rrënjë ulliri që ju do të mbillni. Në projektin e qeverisë sime për 20 milionë rrënjë ullinj, unë të parën llogaris Mallakastrën. Unë uroj që ju fermerët e Mallakastrës të mbillni 10 milionë rrënjë ullinj dhe të gjitha ato rrënjë më rrënjë, ne do t’ua subvencionojmë”, theksoi kreu i PD-së. Në takimet në Veri të vendit, Berisha premtoi barazimin e pensioneve të fshatit me ato të qytetit si dhe furnizimin e vendit me 24 orë ujë. Kreu i qeverisë tha në Fushë Arrëz e Pukë se brenda mandatit të dytë çdo fshat do të lidhet me rrugën e komunës dhe çdo komunë do të ketë rrugë të asfaltuar që ta lidhë më aksin kombëtar. “Këtu në Pukë garojnë 2 deputetë; garon Ndue Paluca, i cili pret ta sillni në parlament me votën tuaj, me besimin tuaj, me shpresën tuaj, që ai t’ju shërbejë ashtu siç ju ka shërbyer. Garon edhe një tjetër, Ndue Kola, i cili i pagoi Edi Ramës gjysmë milioni euro për mandatin e tij”, përfundoi Berisha.