E Diel, 1 Nëntor 2026

Kartat, zgjatet me tre ditë aplikimi për zgjedhjet

 

Adi Shkembi

Dita e sotme është afati i fundit për të aplikuar për kartat e reja të identitetit, por qeveria pritet të zgjasë këtë periudhë edhe për disa ditë të tjera. Burime zyrtare pranë Ministrisë së Brendshme bëjnë të ditur për gazetën se ndonëse ritmi i aplikimeve është shumë i ulët, në qytetet e mëdha do të ketë një zgjatje të afatit me dy deri në tre ditë. “Gjatë ditës së sotme në dy njësi bashkiake në Tiranë nuk kishte më shumë se 40 aplikime, çka tregon se ka një interesim të ulët edhe për faktin se shumica e qytetarëve pa pasaportë tashmë kanë aplikuar. Por për t’i ardhur në ndihmë të gjithë qytetarëve të aplikojnë, në qytetet e mëdha mund të zgjatet me 2-3 ditë afati përfundimtar i aplikimit”, tha mbrëmë për gazetën një zyrtar i lartë i kësaj ministrie. Zgjatja e këtij afati ka ardhur edhe pas garancive të marra nga kompania koncensionare, e cila mund të prodhojë një kartë identiteti për më pak se 14 ditë, çka do të thotë se edhe ata, që do të aplikojnë gjatë mesit të javës mund të marrin kartën e identitetit për të votuar në 28 qershor. Zyrtari i Ministrisë tha gjithashtu se deri tani kanë aplikuar mbi 70% e personave pa pasaportë, gjithsesi ai u rezervua për të dhënë një shifër konkrete pa u futur në sistem të dhënat e të gjithë personave që kanë aplikuar. Ndërkohë, zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Fatmir Konja i bëri sërish thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë limitet kohore për t’u pajisur me dokumentin e ri. “Vazhdojmë t’u bëjmë thirrje të gjithë atyre qytetarëve shqiptarë, që nuk kanë pasaportë dhe nuk janë paraqitur ende për të aplikuar, të shkojnë sa më parë, pasi zyrat i kanë në dispozicion 14 orë në ditë, nga ora 08:00 e mëngjesit deri në orën 22:00 të mbrëmjes”, tha Konja. Sipas shifrave zyrtare të publikuara nga Ministria e Brendshme deri tani numri i qytetarëve që kanë aplikuar i ka kaluar 1.35 milion, ndërkohë që qytetarët që janë paraqitur në zyrat e gjendjes civile për t’i marrë ato, po i afrohet rreth 1 milion. “Ministria e Brendshme njofton se deri ditën e djeshme kanë aplikuar për letërnjoftimin elektronik 1.354.000 shtetas. Janë prodhuar 1 253 000 mijë letërnjoftime. Nga qytetarët janë tërhequr 932 500 letërnjoftime elektronike”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›