Korçë, dhunohet përsëri zyra e PS
KORÇE – Dhunohet sërish zyra elektorale e PS-së në lagjen 8 të Korçës. Persona ende të paidentifikuar kanë thyer xhamat e derës kryesore të saj. Edhe një ditë më parë kjo zyrë ishte dëmtuar. Persona ende të paidentifikuar kishin grisur flamurin kombëtar dhe flamurin e PS-së, të cilët ishin vendosur tek hyrja e zyrës, kishin hequr gërmat që shkruanin “Zyra elektorale e PS” dhe thyer xhamin e derës kryesore. Policia ka bërë të ditur se kjo zyrë është e vendosur në rrugën “Vangjel Koçilemi”, në qytetin e Korçës. Pas marrjes së njoftimit policia ka ngritur grupin e hetimit për të zbardhur ngjarjen. Policia po vazhdon punën për identifikimin dhe dokumentimin e autorëve të kësaj vepre penale. Ka qenë kryetari i PS-së në Bashkinë e Korçës që ka bërë denoncimin e incidentit në polici dhe ka kërkuar ndihmën e saj për të ruajtur zyrat elektorale të kësaj force politike që po dëmtohen nga persona të panjohur. Në përgjigje të kësaj kërkese policia ka justifikuar situatën me pamundësinë që ka ajo për të mbrojtur zyrat elektorale dhe ka kërkuar që vetë forcat politike, pra edhe PS të kontribuojnë në ruajtjen e tyre. j.gj